Pasi bëri publike gjendjen financiare për herë të parë, u mësua se kompania arabe e naftës, Aramco, është më fitimprurësja në botë. Dhe jo thjesht, por dy herë më fitimprurëse se Apple, e cila shihej deri më sot si e para në botë.
Aramco ka fituar 111 miliardë dollarë në vitin 2018, sipas Moody’s. Kompania është duke u përgatitur që të blejë Korporatën Saudite të Industrive Bazë, një kompani shtetërore që merret me industrinë e përpunimit të naftës në Arabi. Blerja do t’i kushtojë 69.1 miliardë dollarë.
Ky ka qenë deklarimi i parë publik nga Aramco. Si krahasim, Apple, e cila u shpall kompania më fitimprurëse në botë vitin e shkuar, kishte fituar 59.4 miliardë dollarë, gati sa gjysma. ExxonMobil, kompania më e madhe e naftës në SHBA, kishte fituar 20.8 miliardë dollarë. Dhe Shell-i holandez, kompania më e madhe e naftës në bursë, fitoi 23.4 miliardë.
Në fund të vitit të shkuar, Aramco ka deklaruar të ardhura prej 355.9 miliardë dollarësh, dhe 48.8 miliardë dollarë para “cash”. Kjo shifër është shumë më e madhe se borxhi prej 27 miliardësh. Këto shifra u ndihmuam edhe nga rritja e çmimit të naftës në vitin 2018, në krahasim me 2017.
Vjet, Aramco kishte planifikuar të nxirrte 5% të aksioneve në shitje, në bursë, me ofertën më të madhe fillestare në histori. Sauditët prisnin të merrnin 100 miliardë dollarë nga oferta fillestare, e cila do ta kishte vlerësuar kompaninë me 2 trilionë dollarë, ose dy herë më shumë se Microsoft, që njihet si kompania më e vlefshme në treg, me 904 miliardë dollarë.