Pas njoftimit të falimentimit të operatorit britanik të udhëtimeve, Thomas Cook, falimentim ka kërkuar edhe dega e kësaj kompanie në Gjermani, Thomas Cook GmbH.
Kryetarja e bordit drejtues të Thomas Cook GmbH, Stefanie Berk, tha në një deklaratë se edhe pse dëshironin të shmangnin hapin gjyqësor, kompania nuk arriti zgjidhje afatshkurtër përmes negociatave dhe në këtë mënyrë u detyrua që kërkesën për falimentim ta parashtrojë në gjykatë.
Sipas një njoftimi, Thomas Cook GmbH rikujtoi se 140 mijë persona gjenden në pushime me Neckermann, Öger Tur, Air Marin dhe Buchen, duke shtuar se janë në kontakt me Ministrinë e Jashtme gjermane dhe kompanitë e sigurimeve për kthimin e këtyre personave.
Siç mësohet, Thomas Cook GmbH nuk ka marrë përgjigje në kërkesën e saj për kredi, edhe pse degës tjetër të kompanisë në Gjermani, Condor, i është ofruar mbështetje shtetërore.
Ndryshe, dy ditë më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil të Britanisë njoftoi fundin e funksionimit të Thomas Cook, një prej kompanive më të mëdha në botë për organizimin e pushimeve, pas dështimit të negociatave për shpëtimin e operatorit, ndërsa më pas u fillua një aksion për kthimin e mbi 150 mijë shtetasve britanikë nga shumë vende.