Kompania kosovare Oprimus, e cila produktet e veta i ofron për shitje online, do të përdor shërbimin e Postës së Kosovës për t’i plasuar ato në tregun e shumë vendeve evropiane.
Përmes këtij shërbimi të Postës, blerësit e produkteve të kësaj kompanie kanë mundësi të përcjellin rrugëtimin e dërgesës përmes sistemit të gjurmimit që anglisht njihet me emrin track and trace.
Marrëveshja është nënshkruar sot nga kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha dhe drejtori i kompanisë Oprimus sh.p.k., Sherif Krasniqi.
“Ndihemi krenarë për përmes shërbimeve tona jemi duke ndihmuar zhvillimin e afarizmit të bizneseve kosovare”, ka deklaruar kryeshefi Hoxha.
Të gjitha kompanitë kosovare që shesin mallra online mund të shfrytëzojnë shërbimin e ri postar të Postës së Kosovës që iu mundëson transportimin efikas dhe të sigurt të mallrave në shtete të ndryshme.
Ky shërbim është lansuar falë gatishmërisë së Postës Shqiptare me të cilën Posta e Kosovës ka bashkëpunim të gjerë, në fusha të ndryshme.