Në Kosovë pothuajse për çdo vit, kompanitë private, sidomos ato në sektorin e bujqësisë, ndërtimtarisë dhe lokalet shërbyese, përballen me problemin e punësimit sezonal të punëtorëve.
Ndonëse shkalla e papunësisë në Kosovë mbetet e lartë, sipas disa bizneseve private, shpesh ndodh që të papunët nuk janë të interesuar të punojnë në këta sektorë. Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve, thonë se mosgatishmëria e qytetarëve për të punuar punë sezonale, paraqitet për shkak të kushteve të vështira në kompanitë private.
Një ndër kompanitë vendore që për çdo sezon përballet më mungesën e punëtorëve, është kompania “Pestova”, e cila merret me përpunimin e patates.
Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie thotë për Radion Evropa e Lirë segjatë kësaj periudhe për çdo ditë i nevojiten nga 20 punëtorë të rinj, por që, sipas tij, qytetarët po hezitojnë ta punojnë vjeljen e patates.
Ai tregon se paga mujore për punëtorët e interesuar është 450 euro, tetë orë punë dhe dy shujta ushqim gjatë ditës.
“Ne jemi në vlugun e punës, por punëtorë nuk po gjejmë. Nuk dëshirojnë të punojnë, edhe pse i kanë kushtet e mira. Ata dëshirojnë të punojnë në zyre, në fabrikë, kurse në ara nuk janë të interesuar të punojnë”.
“Në Kosovë, po e them me mllef, nuk është e vërtetë se ka papunësi, por ka papunëtorë. Lokalet, kafenetë janë plot të rinj, e punë nuk dëshirojnë”, shprehet Kosumi.
Edhe sektori i ndërtimtarisë përballet po me këtë problem. Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Brahim Selimaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky sektor me mungesë të punëtorëve përballet gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm gjatë sezonit të verës.
Si problem kryesor, ai e përmend mungesën e punëtorëve të kualifikuar.
“Mungesë tjetër e punëtorëve në treg, janë ata të kualifikuar. Unë mendoj se është mungesë e gatishmërisë së të papunëve që të dalin në treg dhe të punojnë”, pohon ai.
Por, të rinjtë japin mendime të ndryshme sa i përket interesimit për punë sezonale.
Blerta Gashi, studente në Fakultetin Juridik, thotë se do të pranonte të punonte, por vetëm në drejtimin që studion.
“Nëse ka kushte të mira të punës dhe pagë të mirë, pranoj të punoj, por vetëm punë që lidhen me drejtimin juridik”, thotë ajo.
Kurse, Lindi Bekteshi, thotë se nuk dëshiron të punojë gjatë kohës së verës. Ai thotë se sezonin e verës dëshiron ta shfrytëzojë për pushime dhe takime më të shpeshta me shokë.
“Jo nuk do të punoja, por do të pushoja. Verën do ta kisha shfrytëzuar për pushime. Kam dëshirë që dy muaj t’i shfrytëzoj për pushime”, tregon Lindi.
Në anën tjetër, përfaqësues të sindikatës së punëtorëve, theksojnë se bizneset private kanë informuar sindikatën për këtë problem, por që sipas tyre, kushtet jo të favorshme në këto kompani, janë arsye e mosinteresimit të qytetarëve që të punojnë.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të sektorit privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se një numër i madh i kompanive private nuk e respektojnë Ligjin e Punës dhe Kontratën Kolektive.
Përveç që punëtorët, thotë ai, nuk posedojnë kontrata të punës, ata detyrohen të punojnë deri në 14 orë në ditë, ndërkaq bizneset nuk i paguajnë as kontributet për punëtorë, kurse në shumë raste punëtorët paguhen me pagë mujore deri në 200 euro.
Ai, madje fton të gjitha kompanitë që kanë problem me sigurimin e punëtorëve, e të cilat respektojnë Ligjin e Punës, që punëtorët t’ua sigurojë BSPK-ja.
“ Unë po jap një ofertë, të gjithë ata që ofrojnë pagë 400 euro, ne si sindikatë e marrin për obligim t’u sigurojmë punëtorë, nëse e respektojnë rregullativën ligjore”.
“Do të thotë ai, (kompania) le të drejtohet te sindikata, të garantojë se këta punëtorë do të kenë kontratë pune dhe t’ua paguajnë kontributin konform ligjit. Këtë përgjegjësi e marrin ne”, deklaron Azemi.
Papunësia, ndërkaq, vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë te të rinjtë është 52. 2 për qind, kurse shkalla e përgjithshme e papunësisë është 28.7 për qind.