Kompani e biznese të cilët janë duke marr pjesë në panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024”, janë duke e parë si mundësi të jashtëzakonshme këtë panair që t’i promovojnë produktet e tyre dhe potencialisht të nënshkruajnë kontrata me klient të ndryshme vendore e ndërkombëtarë, raporton Ekonomia Online.
Disa prej kompanive që u prononcuan për Ekonomia Online thanë se panaire të tilla janë të mirëseardhura e po ashtu potencuan si të nevojshme mbështetjen e institucioneve.
Afrim Hazrolli, nga kompania “Hazrolli Group”, tha se nga ky panair presin që të kenë klientë të ri.
Ai tha se si kompani rreth 95 për qind të produkteve i eksportojnë në Evropë, teksa kërkoi më shumë përkrahje institucionale.
“I ofrojmë të gjitha produktet që i përket prodhimeve të plastikës dhe aluminit. Këto janë shumë të rëndësishëm për kompanitë sepse këtu po takojmë vizitor të rinj që për herë të parë po dëgjojnë për kompaninë tonë, me qenë se jemi shumë të përhapur në treg. Njëkohësisht e kemi edhe një pritshmëri që do të kemi klientë të rinj. Ne 95 për qind të produkteve tona i eksportojmë në Evropë. Të kënaqur në përgjithësi nuk jemi, por prapë së prapë kemi një përkrahje prej institucioneve”, ka thënë ai.
Anita Maloku drejtoresh e shitjes në kompaninë “Jaha Solar” tha se organizimi i këtij panairi është një mundësi për bizneset t’i shfaqin produktet e tyre dhe mundësin për të arritur kontrata edhe me biznesmenë dhe kompani tjera të ndryshme.
Ajo tha se si kompani kanë pasur përkrahje nga institucionet vendore.
“Si kompani ne jemi themeluar nga viti 2016. Merremi me prodhimin e paneleve solare si dhe projektimin, instalimin dhe ekzekutimin e sistemeve solare. Po patjetër gjithmonë janë organizime shume të nevojshme. Është mundësi për bizneset me shfaq produktet si dhe çdo shërbim që e kryejnë dhe potencialisht të arrihen kontrata edhe me biznesmenë dhe kompani tjera të ndryshme”.
“‘Jaha Solar’ është aktive sidomos në vendet e Evropës. Po ashtu ekzekutimi i projekteve nuk bëhet vetëm në Kosovës por bëhet edhe në vendet në rajon, Maqedoni, Shqipëri, ka projekte që realizohen edhe në Gjermani. E rëndësishme për produktin tonë është që të rritet vetëdijesimi i ndihmesës që mundet me pas prej një investimit të tillë. Vitet e fundit ka pasur një mbështetje të madhe në këtë lami, mundem me cek që këtë vit me koncersiumin ‘Orllati’ kemi arritur me fituar edhe tenderin 150 megavat që është tender shtetëror ku energjia që prodhohet do të shfrytëzohet për nevojat e shtetit të Kosovës. Mbështetja shtetërore ka qenë e madhe në këtë pjesë”, ka thënë ajo.
Rineja Arifi, nga kompania “Delfin LTD”, tha se presin që të kenë rritje të klientëve nga ky panair.
Sipas saj, si biznes kanë pasur përkrahje nga qeveria, por që përkrahjet duhet të vazhdojnë për bizneset.
“Është shumë e rëndësishme për shkak që presim konsumatorët që të shohin sa më shumë dhe të kenë njohuri më shumë sa i përket produkteve tona. Ne presim më shumë vizitorë që ti shohin produktet tona nëse nuk i kanë parë deri tani edhe pse produktet tona janë në treg që 20 vite me produkte të mishit, të jogurtit të qumështit. Deri tani kemi mjaftueshëm përkrahje nga institucionet por normalisht që presim çdo herë e më shumë”, ka thënë ajo.
Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024” i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës është hapur të mërkurën dhe do të zgjasë tri ditë më radhë. Në këtë panair janë duke marr pjesë mbi 100 kompani vendore dhe ndërkombëtare.