Në ditën e dytë të “Festivalit të Gjelbër”, rreth 45 kompani vendore po ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në Pavijonin e Gjelbër, raporton Ekonomia Online.
Qëllimi kryesor i festivalit është promovimi i bizneseve të gjelbra të Kosovës dhe ngritja e vetëdijes dhe interesit për riciklim, energji të ripërtërishme dhe efiçiencë të energjisë.
Duke marrë parasysh se sektori i “gjelbër” është ende në zhvillim e sipër në Kosovë, ky sektor paraqet mundësi të konsiderueshme për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të reja të punës.
Këtë vit risi e këtij festivali është prezantimi i kompanive ndërtuese me projekte dhe ide inovative të lagjeve moderne që promovojnë jetesën efiçiente “Green”.
Besim Bashota, pjesëmarrës në festival nga një kompani që merret me shitjen e produkteve efiçiente u shpreh se qytetarët janë shumë të interesuar me produktet SMART.
“Po ka të interesuar për arsye se SMART janë sisteme të avancuara të reja janë mundësi e mirë që njerëzit me i pasur në shtëpitë e tyre për t’i kontrolluar të gjitha elementet elektrike përmes telefonave të mençur qoftë kur janë brenda qoftë kur janë jashtë shtëpisë, në bregdete apo kudo qoftë kanë mundësi me i kontrollu krejt sistemin, nxehjet, ftohjen, roletat madje me i automatizu. Kemi pasur vizitorë jemi të kënaqur me numrin e vizitorëve që janë interesuar. Në Kosovë kompanitë private janë duke avancuar qoftë ne prodhim qoftë në ofrimin e shërbimeve, në raport me rajonin Kosova për shërbime dhe energji efiçiente qëndron më mirë”, tha ai për EO.
Arta Maliqi- Shala, një tjetër pjesëmarrëse në këtë festival, tha se prezenca e tyre në këtë eveniment është mundësi për bizneset e vogla që kontribuojnë në mbrojtje të ambientit që t’i prezantojnë punët e tyre.
“Për neve kompanive që jemi më të vegjël panairet na ndihmojnë shumë punën tonë për me prezantuar çka ne bëjmë, është ndihmesë shumë e madhe. Ne aksesorët, çantat kryesisht i përdorim materiale të vjetra të cilat i bëjmë çantë me detaje të vogla dhe i shesim dhe në këtë formë kontribuojmë në mbrojtje të ambientit. Është poashtu mundësi e mirë e panaireve tek populli me e paraqit që edhe ne si popull mundemi me bë diçka interesante dhe kreative”.
Në “Festivalin e Gjelbër” të vitit të kaluar, 23 ndërmarrje pjesëmarrëse realizuan mbi 1.3 milion euro shitje.
Këtë vit, me pjesëmarrjen e 45 ndërmarrjeve kosovare të bazuara në energji të gjelbër që do të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre në festival, priten edhe më shumë kontrata dhe marrëveshje eksporti.