Albin Kurti njoftoi se po udhëtonte për në Tiranë për të parë ndeshjen Shqipëri – Çeki pasi e kaloi kufirin e Kosovës duke pozuar me djalin e Adem Jasharit.
Natyrisht, i kishte gjithë shanset të njoftonte protokollin e qeverisë shqiptare dhe të shikonte ndeshjen bashkë me Presidentin e Shqipërisë, Kryeministrin dhe ministrat e tjerë, por ka preferuar që të jetë në një tribunë ngjitur me ta, për të ngulitur idenë e “diferencimit”.
Pra, ai nuk pranon të jetë njësoj me të tjerët, por njerëzit duhet të zgjedhin ose me atë ose me ata të tjerët.
Megalomania, populizmi, por dhe ligësia me të cilën Albin Kurti po injekton ndarjen mes Shqipërisë dhe Kosovës është tërësisht agjendë personale e tij, përçapje elektorale me synime malicioze.
Në këtë përpjekje Kurti prekë fundin dhe nuk kursen askënd, madje as djalin e Adem Jasharit. Gjithkush dhe çdo gjë në funksion të përdorimit edhe kur bëhet fjalë për një familje emblemë. I gjendur ngushtë nga fjalimi i Ramës në Kuvendin e Shqipërisë, i ekspozuar krejtësisht përmes fuqisë së shkronjave dhe i paftë për të prodhuar diskurs rivalizues në lartësinë e njëjtë, ai provoi ta vendosë Lulzimin e Jasharajve si pancirin që i mungon Policisë së Kosovës.
“Shihni kush është me mua”, është thirrja pa përmbajtje që prezantohet përmes fotografisë pa kuptim dhe naivitetit të pafajshëm të personazhit që po përdoret.
Madje, nuk u mjaftua vetëm me vizitën private ndarazi në stadium, por dhe me provokimet që tentonte të bënte me tifozët e quajtur “Plisat”, për të cilët u tha se ishin përgatitur edhe për parulla pro Albinit duke afshuar pas kësaj fjali patriotike të tipit “të luftojmë tradhtarët brenda vetes” “Mallkuar qoftë ai që nuk na do bashkë” etj.
Në fakt, njeriu që nuk e do bashkimin dhe po nxit ndarjen është dirigjenti i tyre dhe ishte ndarazi në stadium.
E përkundër kësaj, opozita në Kosovë, e cila natyrisht nuk ka pse bën politikë me ndeshjet e kombëtares së Shqipërisë, është e kompleksuar.
Ekipi kombëtar i Kosovë që luante në Andorrën dukej si ekip jetim ngaqë kryeministri ishte në stadium në Shqipëri dhe politikanët e Kosovës nuk bënin dot tifozllëk as për Kosovën as për Shqipërinë.
Për Kosovën se mos humbasin pikë ngaqë Albini ishte në Tiranë. Për Shqipërinë se mos duken krejt si Albini.
Dhe kështu rrinë gojëkyçur para një populisti të ndyrë që ka marrë urën e zjarrit dhe ndarjes në dorë në emër të “bashkimit”.
Ata kanë mbetur pagojë, duke mos mbështetur Shqipërinë, duke mos mbështetur Kosovën dhe duke mos guxuar ta sulmojnë Albinin.
Por, kjo e lojës është vetëm një sekuencë, tejet më pak e rëndësishme sesa një tjetër pozitë shqetësuese opozitare ndaj tezave populiste të Albin Kurtit dhe shpërdorimin që po i bën shansit për të rifutur Kosovën në agjendën perëndimore për shkak të 24 shtatorit.
24 shtatori është një ditë e cila dekonstrukton logjikën e shtetit serb ndaj Kosovës që përmes grupeve paramilitare të provokoj destabilizimin e saj. Albin Kurti, i cili deri më 24 shtator ishte luftëtari më i madh kundër perëndimit në Kosovë, në vend se ta përdor këtë ngjarje për t’u rikthyer me Perëndimin, po e përdor për t’i fajësuar ata dhe pro-perëndimorët në Kosovë, që i kanë bërë presion për marrëveshje.
Pra, Ai me 24 shtatorin po damkos më shumë aleatët se Serbinë, për t’u shfaqur si viktimë e Perëndimit.
Dhe në Kosovë thuajse s’ka mbet askush t’i dal zot miqëve që fatmirësisht ende e trajtojnë Kosovën me prioritet e delikatesë.
As opozita kosovare s’bë za që po ashtu mendon se tani duhet të përqendrohemi te pasojat e sulmit serb të 24 shatorit.
Serbia e ka dënuar veten me atë që ka bërë, dhe ka shkatërruar shanset për t’u konsideruar e përkëdhelura e Perëndimit, por tashmë vërehet një ri-trimërim i saj, kur sheh betejat e Don Kishotit kosovar kundër Perëndimit.
Ndaj 24 shtatori duhet parë si një arsye më shumë për të fajësuar Kurtin në betejën e tij të çoroditur kundrejt perëndimorëve dhe jo si një arsye që Albin Kurtit t’i quhet e drejtë kjo luftë.
Dhe së fundmi, është koha dhe për një rrezik të ri që vjen nga ajo që po ndodh mes Izraelit dhe Hamasit. Konflikti do jetë i përgjakshëm dhe retorika e justifikimit të krimeve të Hamasit po aq e ndyrë.
Edhe pse Kosova është rreshtuar zyrtarisht pro Izraelit, rreziku real vjen nga ulja e rëndësisë së konfliktit të Kosovës me Serbinë në rrafshin ndërkombëtar.
Çdo lëshim nervash i aleatëve perëndimorë ndaj ngrefosjes populiste të Albin Kurtit mund ta nxjerr Kosovën nga agjenda e tyre dhe ta bëjë dhe më keq situatën.
Opozita e Kosovës duhet të jetë e qartë në betejën e saj.
Kur Albin Kurti si populsit bën si promotor i radikalizmit të situatës në Veri, ata nuk duhet të bëhen një hap para Albinit por të qëndrojnë tek e vërteta.
Kur Abin Kurti provokon Shqipërinë dhe nxit ndarjen, ata nuk duhet të bëjnë një hap më shumë me shpresë se i pëlqen popullit. Duhet të qëndrojnë tek e vërteta.
Kur Albin Kurti përdhos gjakun e një polici të vrarë për nevoja politike dhe ngre mbi të fabula elektorale, ata nuk duhet të shkojnë një hap më para tij, por të de-mitizojnë gënjeshtrat.
Kur Albin Kurti hyn në betejë me SHBA-të dhe Evropën kundër Asociacionit, si populist, ata nuk duhet të shkojnë një hap më para me retorikën e tradhtarëve, por të qëndrojnë tek e vërteta.
“Askush nuk ka të drejtë të ofendohet nga e vërteta”, ndërsa opozita në Kosovë nuk ka të drejtë të largohet nga kjo e vërtetë edhe nëse i ofendon.
Kjo e vërtetë kaq e dukshme, është e pakuptueshme të qëndrojë kaq e pambrojtur ndaj gënjeshtrës qeveritare.
Vetëm e vërteta do t’i nxjerr në breg sado të vonojë ajo.
Manualin e mirëpërodrimit mund ta kenë parë të enjten tek ekspozohet gjatë e shtruar në diskutimin e kryeministrit të Shqipërisë. Ajo është gjuha me të cilën zhvishet mashtrimi nga velloja e kiçit e kurdisur nga një populist që jo vetëm se ndërton të paqena me imagjinatë, por edhe jeton brenda imagjinatës së tij të paqenë.
Kuptojeni, Albin Kurti nuk duhet konkurruar si mashtrues, por duhet diskredituar si një udhëheqës që po merr në qafë Kosovën. (Albanian Post)