Një person është arrestuar në Poloni në lidhje me një plan të dyshuar për vrasjen e kryeministrit Donald Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
“Personi që kërcënonte me sulm është arrestuar”, shkroi Tusk në rrjetin social X, duke falënderuar policinë për ndërhyrjen e shpejtë dhe vendimtare.
Më herët, Ministria e Brendshme e Polonisë bëri të ditur se shërbimet e inteligjencës kishin marrë informacione për një plan të mundshëm atentati ndaj kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.
Zëdhënësja e ministrisë, Karolina Gałecka, deklaroi në një konferencë për shtyp se një raport mbi një atentat të mundshëm ndaj Tuskut dhe zëvendëskryeministrit, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes Kombëtare, Władysław Kosiniak-Kamysz, i ishte përcjellë policisë përmes Shërbimit për Mbrojtjen e Shtetit (SOP).
Sipas saj, ministri i Brendshëm dhe ministri përgjegjës për shërbimet speciale urdhëruan marrjen e masave për trajtimin e çështjes.
Në një takim të zhvilluar për këtë rast morën pjesë zyrtarë të lartë të policisë, Shërbimit për Mbrojtjen e Shtetit dhe Agjencisë së Sigurisë së Brendshme.
Autoritetet: Kërcënimet mund të ktheheshin në veprime
Zëdhënësi i ministrit përgjegjës për shërbimet speciale, Jacek Dobrzyński, deklaroi se autoritetet po e trajtojnë çështjen me seriozitetin më të madh.
“Muaj pas muaji, vit pas viti, policia, Shërbimi për Mbrojtjen e Shtetit dhe shërbimet speciale marrin gjithnjë e më shumë kërcënime dhe mesazhe shqetësuese të llojeve të ndryshme, që lidhen me Poloninë dhe qytetarët polakë”, u shpreh ai.
Sipas Dobrzyńskit, në këtë rast ekzistonte një mundësi e konsiderueshme që kërcënimet të shndërroheshin në një sulm real.
Polonia në gatishmëri të shtuar për sigurinë
Polonia, anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, ndodhet në krahun lindor të të dyja organizatave dhe ka shtuar vigjilencën për çështjet e sigurisë.
Autoritetet janë në gatishmëri të shtuar pas një sërë sulmesh me thikë dhe tentativash për sulme në shkolla dhe gjimnaze që nga fillimi i vitit të ri shkollor në shtator. Në disa prej këtyre rasteve janë përfshirë të mitur ose të rinj në moshë madhore.
Të enjten, kryeministri Donald Tusk paralajmëroi për atë që e cilësoi si një “kulturë të përhapur të dhunës në botë”, duke shtuar se ky fenomen ka mbërritur edhe në Poloni. /Panorama