Universi i saj muzikor është i fuqishëm dhe shumëngjyrësh. Secila partiturë është e mbushur me inspirime, qoftë nga udhëtimet, natyra, emocionet apo edhe pikturat e poezitë. Krejt këto marrin tjetër qasje kur përkthehen në nota.
Ndjenjat janë shpeshherë nostalgjike, peizazhet me kolorit muzikor, ndërsa letërsia dhe arti pamor, më të gjalla. Për kompozitoren franceze Françoise Choveaux, muzika do të thotë liri për t’u shprehur, për të ngacmuar imagjinatën në një formë tjetër me tingull. Por para se të jetë kompozitore, ajo është pianiste.
Karrierën e nisi në këtë instrument, për të zbuluar më pas pasionin për kompozim. Deri më tani ka kompozuar më shumë se 170 vepra për të gjitha instrumentet dhe formacionet, prej solove e deri tek ato simfonike. Veprat e saj janë interpretuar në Francë, Itali, Gjermani, Rusi, Belgjikë e po ashtu edhe në Azi e Amerikë.
Njëjtë edhe si pianiste është ngjitur nëpër skena të ndryshme botërore. Por koncertin e saj të fundit si pianiste e dha në Prishtinë. Ajo u ngjit në skenë bashkë me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, e cila interpretoi dy vepra të saj. Në njërën prej tyre ishte soliste.