Komuna dhe qytetarët kërkojnë dislokimin e Qendrës së Azilit në Magurë

Lipjan | 26 Tet 2020 | 21:37 | Nga Ekonomia Online

Janë 18 raste që Policia në Lipjan i ka iniciuar ndaj emigrantëve nga Siria, Maroku dhe Algjeria për vepra penale të kryera në Magurë, ku aktualisht është Qendra e Azilit. 13 persona janë arrestuar nën dyshimin për vjedhje të rëndë, kanosje, posedim të narkotikëve, sulm ndaj personit zyrtar, dëmtim të pasurisë publike e zjarrvënie.

“Gjatë vitit 2020 (perioda kohore janar –tetor) gjithsej janë raportuar 18 raste të veprave penale: Vjedhje 3, Rrahje/sulmi 2, Sulme ndaj personit zyrtar/ pengime te personit zyrtar 3, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë 1, Lëndim i lehtë trupor 5, Zjarrvënie 1, Posedim i substancave narkotike 3. Prej rasteve të lartcekura, 15 janë dorëzuar në Prokurori kurse 3 janë akoma nën hetime. Në rastin e fundit të zjarrvënies së xhamisë, masa e ndalimit për 30 ditësh i është caktuar vetëm një personi”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Pas djegies së xhamisë së fshatit, banorët dhe institucionet komunale të Lipjanit kanë kërkuar dislokimin e Qendrës së Azilit. Nazim Gashi, drejtor për Emergjencë në këtë komunë, ka thënë se emigrantët po shkaktojnë shqetësime të vazhdueshme.

“Konsiderojmë që ky objekt do të duhej të vendosej në një hapësirë tjetër, ose të dislokohej duke pasur parasysh që deri sot Inspektorati dhe Policia, por edhe ne si drejtorat, kemi marrë shumë thirrje dhe ankesa nga qytetarët”, ka thënë Gashi.

Edhe përfaqësuesi i fshatit Magurë, Milaim Metaj, ka kërkuar largimin e kampit.

“Këta janë duke i bërë disa veprime shumë të këqija, po vjedhin, tash e kanë djegur xhaminë, nesër na djegin edhe shtëpitë. Ky kamp është gabim këtu, andaj kërkesa jonë e parë është të hiqet krejt kampi prej këtu”, ka thënë Metaj.

Drejtori i Qendrës së Azilit në Magurë të Lipjanit, Fitim Zariqi, ka thënë se kjo qendër nuk është përgjegjëse për veprimtaritë individuale të emigrantëve jashtë saj.

“Personat që kërkojnë azil dhe nëse hyjnë në procedurë të azilit, shumica prej tyre janë njerëz të kulturuar, të civilizuar dhe i respektojnë rregullat, ka përjashtime nga disa emigrantë që janë nga Maroku dhe Algjeria, por të gjitha masat janë marrë dhe janë përgjigjur edhe ata para ligjit sepse është kompetencë e Policisë që merren me ata”, ka thënë ai.

Qendra e Azilit në Magurë është e tipit të hapur prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 22:00. Banorët kanë kërkuar shtimin e numrit të policëve në stacionin e këtij fshati deri në një zgjidhje tjetër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme