Komuna e Drenasit në krye me Ramiz Lladrovcin kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Abri dhe në kompleksin e martirëve të familjes Deliu në rastin e 22 vjetorit të rënies së tre dëshmorëve dhe 29 martirëve në luftën e fundit në vend.
Lladrovci ka thënë se rënia e dëshmorëve e martirëve mbetet historia më e lavdishme e Kosovës dhe se kushdo që i konteston vlerat e luftës çlirimtare së pari duhet t’i vizitojë vendet ende të freskëta të rënies së tyre.
“Me 26 shtator të vitit 1998, forcat serbe kryen njërën prej masakrave më të rënda të luftës, atë mbi familjen Deliu në fshatin Abri të Drenasit, në të cilën nuk kursyen foshnjat, gratë e të moshuarit”, thuhet në njoftimin e komunës.
“Edhe pas 22 vjetësh, drejtësia ende nuk ka vepruar për të ndëshkuar planifikuesit dhe ekzekutuesit e kësaj masakre dhe masakrave të tjera në Komunën e Drenasit”.