Komuna e Drenasit, ka ndarë 160 bursa për studentë, të cilët kanë aplikuar dhe i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara sipas konkursit, transmeton Ekonomia Online.
Këto bursa që kanë për synim ngritjen e cilësisë së arsimit, janë ndarë për studentët që studiojnë në universitetet publike për vitin akademik 2019-2020. Numri i bursave nga buxheti komunal është 160, ndërsa, lartësia e bursës komunale për një student është 500 euro.
Komisioni në përbërje të anëtarëve profesional, ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet me kujdes, dhe përfitues janë shpallur vetëm ata të cilët kanë marrë pikë më së shumti, duke u bazuar në kriteret e konkursit. Ndërsa, Komuna e Drenasit, sikurse vitet e kaluara, është duke bërë përpjekje që përmes donatorëve të sigurojë edhe 40 bursa për studentë sipas listës së publikuar.
Kryetari Ramiz Lladrovci, ka përgëzuar studentët e përzgjedhur, duke uruar suksese në të ardhmen dhe përfundim të suksesshëm të studimeve me rezultate sa më të mira.
Më poshtë gjeni linkun e rezultateve për studentët të cilët kanë aplikuar për bursë komunale.