Komuna e Drenasit ka lëshuar një sqarim pas raportimit nga disa media se ish-zyrtari komunal, Labinot Gruda, ka vjedhur 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit.
Në sqarim bëhet e ditur se Gruda ka qenë i emëruar si drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa për nëntë muaj dhe largimi i tij nga kjo pozitë është bërë publik ndërsa arsyet e largimit kanë qenë personale, njofton Klan Kosova
Në raportime u tha se Gruda është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës duke publikuar edhe fotografi me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, sipas komunës është e pavend.
“Lirimi i z. Gruda është bërë me kërkesë të tij dhe është kthyer në Ministri të Financave. Nga kjo ditë, ai nuk ka pasur asnjë ndikim as qasje në Drejtorinë për Buxhet e Financa” thuhet mes tjerash në sqarim.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
Sqarim nga Komuna e Drenasit rreth rastit Gruda
Lajmi i sotëm, se ish zyrtar i Komunës së Drenasit, z. Labinot Gruda, është paraburgosur, na ka shqetësuar pa masë.
E vërtetë se Z. Gruda, ka qenë i emëruar drejtor i Drejtorisë për Buxhet e Financa, më 7.2.2018 dhe në këtë detyrë ka shërbyer deri më 14.11.2018.
Largimi i tij, ashtu si emërimi i tij, në krye të departamentit, është bërë publik. Arsyet e largimit të tij nga posti i Drejtorit, edhe zyrtarisht, ka qenë “për arsye personale”.
Fotografia e sotme e publikuar në media se z. Gruda është kuadër i PDK-së, duke u ilustruar me foton e Kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci, është e pavend. Fotografia e tij krah kryetarit, është bërë gjatë dëgjimeve buxhetore me qytetarët, derisa z. Gruda ishte në krye të drejtorit të Drejtorisë për Buxhet e Financa
Prandaj, identifikimi i tij me komunën e Drenasit dhe përkatësinë partiake është plotësisht e pavend. Angazhimi i tij në krye të Drejtorisë, ishte për arsye të përvojës, aspekteve profesionale dhe rekomandime për përvojën e tij në Ministri të Financave.
Lirimi i z. Gruda është bërë me kërkesë të tij dhe është kthyer në Ministri të Financave. Nga kjo ditë, ai nuk ka pasur asnjë ndikim as qasje në Drejtorinë për Buxhet e Financa.