Gjatë ditës së sotme, drejtori i zhvillimit ekonomik dhe turizmit, Zekir Bytyqi, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Sylejman Nezirin, pronar i Qendrës Tregtare “Plus Market”. Kjo marrëveshje është nënshkruar në shenjë përkrahje për këtë qendër tregtare, e cila me datën 26 dhe 27 korrik do të mbaj panairin me prodhimet vendore në hapësirat e kësaj qendre.
Me këtë rast, drejtorit i zhvillimit ekonomik dhe turizmit, Zekir Bytyqi, është shprehur se ky memorandum ka rëndësi shumë të madhe me vet faktin se edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, është i gatshëm që të përkrah bizneset vendore.
U bë e ditur se në këtë panair pjesëmarrës do të jenë mbi 200 kompani vendore , si dhe shumë kompani prodhuese nga Shqipëria ,ndërkaq gjatë dy ditëve pritet që mbi 10 mijë konsumatorë ta frekuentojnë panairin.
Në hapje të këtij panairi pritet të marrin pjesë Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministra e zëvendësministra, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu si dhe mysafirë të shumtë nga vendi dhe shumë përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria.
Organizatorë të këtij panairi janë Qendra Tregtare “Plus Center” dhe Komuna e Ferizajt.