Komuna e Ferizajt përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është normalizuar gjendja pas zjarreve në malet e kësaj komune.
Nga Komuna është kërkuar ndërgjegjësim të qytetarëve për rastet e fundit të paraqitjes së zjarreve fushore dhe malore.
“Qytetarë të papërgjegjshëm, me arsyetimin e pabazë të përgatitjes për sezonin e mbjelljeve kanë ndezur zjarre ndaj të lashtave, të cilat me shpejtësi marramendëse janë shpërndarë në një tablo të gjerë të territorit malor të Ferizajt. E gjitha, edhe nga hetimet policore që kanë nisur me intensitet të lartë ndaj kryesve të këtyre veprimeve, po rezulton të jetë realizuar qëllimshëm. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, ka disa ditë që janë vazhdimisht në terren për të vizituar zonat e prekura nga zjarret, motivuar punonjësit e zjarrfikjes që me punën e tyre të guximshme po mbrojnë çdo pëllëmbë toke nga furia e zjarrit që po shkakton dëme vështirë të riparueshme. Ata kanë vizituar terrenet e prekura malore në Burrnik, Semajë, Gurëz e Komogllavë si dhe zona të tjera me dëme më të mëdha”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.
Sipas njoftimit, dëmet nga zjarret fushore dhe malore të shkaktuara ditëve të fundit, janë të mëdha, ku përveç botës bimore, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe për botën shtazore.
Bashkëpunimi me Policinë sipas njoftimit është i ngushtë, ku ky institucion i sigurisë ka nisur hetimet ndaj zjarrvënësve.
“Komuna e Ferizajt në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njofton se kanë nisur hetimet ndaj zjarrvënësve dhe se konform legjislacionit në fuqi do të shqiptohen edhe sanksionet përkatëse. Territori ynë malor është i dëmtuar tej mase nga zjarrvënia, zjarr që ka dal kontrolli dhe është përhapur përtej pronave private të shkaktuesve të zjarrit. Heronjtë e mbrojtjes nga zjarret në territorin e Ferizajt janë zjarrfikësit, të cilët të palodhur, në lartësinë e kryerjes me përkushtim të detyrës, duke rrezikuar, kanë arritur që ta normalizojnë gjendjen. Autoritetit lokale rezervojnë falënderim publik për skuadrën e zjarrfikësve të përfshirë në aksionin kundër zjarreve fushore e malore”, përfundon njoftimi i Komunës së Ferizaj.