Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, as të martën nuk ia ka dalë t’i bindë asamblistët sa i përket planit të tij për parcelat që rrethojnë Kullën e Sylejman Vokshit.
Kësisoj ai ka dështuar dy herë që ta zhbëjë vendimin në bazë të të cilit shpronësohet monumenti së bashku me dy parcela të tjera afër tij. Realisht edhe kryetari Gjini thotë se është pro ruajtjes së Kullës bashkë me parcelën e vet, por jo edhe dy parcelat përreth, shkruan sot “Koha Ditore”.
Paraprakisht Gjini nuk ia kishte dalë t’u hapë rrugë planeve të tij për këtë çështje në ditën e 30-të të tetorit. Të martën 16 asamblistë kanë votuar kundër, 15 për e një ka abstenuar përballë propozimit.
Ish-udhëheqja komunale nëpërmjet një vendimi të vitit 2015 kishte vendosur që Kulla së bashku me parcelën ku gjendet të shpalleshin prona me interes publik. Me qëllim të ruajtjes së monumentit, vendimi kishte përfshirë edhe dy parcela të tjera përreth objektit.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i ka propozuar Asamblesë Komunale ndryshim të vendimit të para tre vjetëve. Këtë e ka bërë me arsyetimin se nëse shpronësohen tri parcela, shteti duhet të paguajë 1.2 milion euro. Por nëse pronat nuk mbeten të Komunës, ato do t’i nënshtrohen Planit Rregullativ të miratuar në 2005-n. Nëpërmjet këtij dokumenti parashihen të paktën dy ndërtesa shtatëkatëshe në afërsi të Kullës. Në zonë, sipas njohësve të trashëgimisë kulturore, ndërtesat shumëkatëshe do të cenonin edhe pamjen e Kroit të Sylejman Vokshit, Mejtepit Ryzhdije e Shkollës së Parë Shqipe në Gjakovë.
Por kryetari Gjini nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga rruga që ka nisur.