Komuna e Gjilanit gjobit qytetarët që e keqpërdorin ujin e pijshëm

Gjilan | 11 Kor 2017 | 18:03 | Nga

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nxjerrë sot një urdhëresë për kufizimin e shfrytëzimit të ujit të pijshëm.

Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Naser Korça, me këtë urdhëresë ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm nga sistemi publik i ujësjellësit për larjen e automjeteve, larjen e trotuareve dhe rrugëve, përdorimin e ujit në punishte ndërtimore dhe ujitjen e arave e kopshteve.

“Gjobat do të aplikohen për të gjithë shkelësit dhe keqpërdoruesit e ujit të pishëm në pajtim me dispozitat e rregullores për shërbime publike komunale, të datës 28.05.2012”, ka thënë Korça në konferencën e sotme për media.

Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu, ka folur për fillimin e fushatës “Mos ndiz zjarr që shkakton rrezik të përgjithshëm”, qëllimi i së cilës është minimizimi i përhapjes së zjarreve me qëllim që të ruhet resurset natyrore, pasuria e qytetarëve dhe trashëgimi kulturore.

“Inspektorët e preventivës nga zjarri si dhe Policia e Kosovës janë në terren për të identifikuar çdo përhapje të zjarrit dhe shkaktarët e përhapjes. Drejtoria e Emergjencave ua rikujton qytetarëve se Kodi penal i Republikës së Kosovës, neni 365, sanksionon me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, të gjithë ata që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm përmes ndezjes së zjarreve”, tha Kadriu.

Ndërkaq, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Nexhat Hajrullahu, ka njoftuar se sonte në ora 20:00 deri 24:00 do të bëhet dezinsektimi i hapësirave publike, duke kërkuar nga bletaret që t’i mbyllin kosheret. Ai tha se dezinsektimi do të bëhet për katër ditë me radhë në mbrëmje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme