Komuna e Gjilanit ndalon përdorimin e fishekzjarrëve, 100 euro gjobë për shkelësit

Prishtinë | 17 Dhj 2024 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Në prag të festave të fundvitit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë një vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësirat publike, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike në tregje, rrugë dhe sheshe publike, për periudhën 20 dhjetor 2024 deri më 03 janar 2025.

Në njoftim, thuhet se çdo person që nuk respekton këtë ndalesë do të gjobitet me një shumë prej 100 euro. Për zbatimin e këtij vendimi, përgjegjës do të jenë Drejtoria e Inspeksionit dhe Policia e Komunës së Gjilanit.

Ky masë është ndërmarrë me qëllim rritjen e sigurisë dhe shmangien e aksidenteve gjatë festave të fundvitit.

Kryetari Hyseni ka theksuar rëndësinë e respektimit të këtij vendimi për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike gjatë kësaj periudhe festive.

Të ngjashme