Lëvizja Vetëvendosje ka abstenuar në miratimin e Deklaratës për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Kuvendin Komunal të mbajtur në Kaçanik.
Me 20 vota pro dhe 6 abstenime të Lëvizjes Vetëvendosje, sot miratoi Deklaratën për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK’së.
Postimi i plotë nga Komuna e Kaçanikut:
Kuvendi i Komunës miraton Deklaratën për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës
Kuvendi i Komunës në mbledhjen e rregullt të mbajtur sot, me 20 vota pro dhe 6 abstenime ( Lëvizja Vetëvendosje), miratoi Deklaratën për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Në deklaratën e iniciuar nga grupi parlamentar i PDK-së në kuvendin komunal, veç tjerash konfirmohet bindja e paluhatshme se lufta mbrojtëse e qytetarëve të Kosovës e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe e përkrahur nga forcat e NATO-s, ishte luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës kundër regjimit gjenocial serb, forcave ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë kundër Kosovës . Poashtu në këtë deklaratë thuhet se e vërteta për historinë e popullit shqiptarë nuk mund të deformohet dhe as të tjetërsohet nga ata që pretendojnë për ti barazuar viktimat me kryesit e krimeve serbe.
Mbledhjen e V-të (Pestë) të rregullt të Kuvendit të Komunës së Kaçanikut, e kryesoi kryesuesi Kemajl Murseli, ndërsa prezantoi edhe kryetari i Komunës, Besim Ilazi.