Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Klinë, në kuadër të planifikimeve të resurseve humane, ka filluar grumbullimin e të dhënave për numrin e punëtorëve shëndetësorë që janë të papunë, përmes një formulari elektronik.
Këto të dhëna, siç tregon drejtori i kësaj drejtorie, Hekuran Sejdiu, po grumbullohen për të krijuar një bazë të dhënave për punëtorë shëndetësorë që janë të certifikuar e të licencuar dhe të cilët janë të gatshëm për punë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas drejtorit të Shëndetësisë, këto të dhëna, kryesisht të stafit të mesëm, i duhen Komunës për planifikimet e komunës, jo për punësimin e tyre në qendrat mjekësore, por për projekte apo programe të ndryshme që ndërlidhen me shëndetësi dhe që kërkohet edhe angazhim i stafit mjekësor dhe infermier në ato projekte.
Në muajin mars, Komuna e Klinës dhe “Caritas Kosova” kishin paralajmëruar realizimin e një projekti të përbashkët për hapjen e vendeve të reja të punës në fushën e shëndetësisë, i cili do të ndikojë në rritjen e shërbimeve shëndetësore për qytetarët dhe ofrimin e kujdesit shtëpiak.