Komuna e Lipjanit ka lëshuar një urdhëresë për të marrë masa të reja ndaj subjekteve afariste gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre në këtë periudhë të pandemisë.
Sipas saj, të gjithë punëtorët në çdo biznes ku punohet, janë të obliguar të shërbejnë (të punojnë) vetëm të pajisur me maska dhe dorëza, pastaj marketet ushqimore, barnatoret, furrat e bukës, obligohen të vendosin udhëzimet e shënuara në dysheme për distancë prej 2 metrave me qëllim të shmangies së kontaktit mes konsumatorëve.
“Në secilin objekt marketi ushqimor, nuk mund të ketë më shumë se 10 konsumatorë, ndërsa në furra dhe barnatore, jo më shumë se një konsumator në të njëjtën kohë. Në markete, furra dhe biznese tjera që punojnë me karroca dore për bartje të artikujve, t’i dezinfektojnë pas çdo shërbimi karrocat dhe mjetet e tjera të punës, tavolinat, etj. Në asnjë market, furrë, zyre të bizneseve apo lokal tjetër nuk lejohet puna me aparate të kafesë”, thuhet në urdhëresën e komunës.
Më tej thuhet se bizneset që punojnë me porosi duhet të dezinfektojnë çdo ditë automjetet me të cilat bartin artikuj me porosi. Ndërkaq, ngasësit e automjeteve me porosi patjetër duhet të shërbejnë me pajisje, maskë dhe dorëza.
Po ashtu marketet dhe shitoret me pemë dhe perime nuk lejohen të ekspozojnë produktet ushqimore, pemë dhe perime, jashtë objekteve.
“Për moszbatimin e këtyre masave të përcaktuara me këtë vendim, ndëshkohen sipas dispozitave ligjore në fuqi. Për zbatimin e kësaj Urdhërese do të kujdeset drejtoria për Inspektorat e Komunës dhe e njëjta do t’i dërgohet Stacionit Policor në Lipjan”, theksohet në urdhëresën e komunës.