Komuna e Malishevës i bën me shtëpi tri familje në nevojë

Prishtinë | 15 Nën 2018 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të realizimit të projekteve të Komunës së Malishevës dhe në kuadër të investimeve për rritjen e mirëqenies për familjet në nevojë, sot, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, edhe zyrtarisht është bërë dorëzimi i çelësave së shtëpive për tri familje, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Me këtë rast, Begaj, i ka uruar tri familjet për shtëpitë e reja.

“Çdo shtëpi e re dhe sigurimi i banimit për secilin banorë të komunës sonë, na gëzon edhe neve, pavarësisht nëse e ndërton komuna, apo ndërtohen përmes donacioneve, pasi me rëndësi është sigurimi i banimit për të gjitha ato familje që kanë nevojë”, tha Begaj. “Këto shtëpi që ne kemi ndërtuar, janë në mesin e 13 shtëpive që kemi ndërtuar këtë vit, ku përmes këtyre investimeve po ju sigurojmë banimin për këto familje dhe në të njëjtën kohë edhe po ju ndihmojmë edhe në krijimin e kushteve më të mira për jetë. Krahas këtyre investimeve, jemi duke ndërtuar edhe qendrën e banimit social, ku mbi dyzetë familje tjera do të jenë përfitues dhe besoj që përfundimisht do të zgjidhet problemi i banimit për shumicën e rasteve që kanë nevojë për banim”.

Sot, me shtëpi të re janë bërë familjet e Hamëz Halilajt nga Llapçeva, Jakup Berishës nga Berisha dhe Muhamet Morina nga Drenoci (i cili jeton i vetëm), ndërsa ndërtimi i shtëpive për këto familje është mundësuar nga buxheti i Komunës së Malishevës.

Gjatë viteve të fundit, Komuna e Malishevës, në vazhdimësi ka ndërtuar shtëpi banimi për familjet të cilat kanë nevojë për sigurimin e banimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme