Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Malishevës, sot e ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku është trajtuar situata e përgjithshme e sigurisë, dhe në veçanti gjendja me pandeminë COVID-19 në Komunën e Malishevës. Nga ky takim, KKSB ju ka bërë thirrje qytetarëve për vazhdimin e zbatimit të masave parandaluese në raport me pandeminë.
Lidhur me situatën me pandemi në Komunën e Malishevës, koordinatori i KKSB-së, Halit Mazreku, i njoftoi anëtarët e KKSB-së, me gjendjen e përgjithshme, me numrin e të prekurve, të shëruarve dhe rastet aktive, si dhe me masat që ka marrë komuna në bashkëpunim me organet përgjegjëse të nivelit shtetëror, në parandalimin, luftimin dhe menaxhimin e situatës me COVID-19.
Ndërsa komandanti i stacioni policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, e ka përgëzuar shtabit emergjent komunal për punën e jashtëzakonshme në menaxhimin e situatës pandemike, si dhe punën e të gjitha organeve tjera, përfshi edhe Policinë e Kosovës, ku sipas tij, përkundër rrezikut për shkak të kontakteve të shumta, asnjë polic nuk është prekur me COVID-10 gjatë punës, si dhe nuk është regjistruar asnjë incident në raport me qytetarët, dhe për këtë i ka falënderuar të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës.
Sa i përket situatës së përgjithshme të sigurisë, kapiteni Krasniqi, deklaroi se ka rënie të dukshme të të gjitha veprave penale.
Puna e shtabit emergjent është lavdëruar edhe nga anëtarët e tjerë të KKSB-së, përfshi edhe komunitetin RAE, dhe sipas këtyre të fundit, gjatë pandemisë, nuk kanë hasur në probleme, si dhe janë mbështetur në vazhdimësi nga ana e komunës, me ndihma dhe ushqime, sikur të gjithë qytetarët tjerë në nevojë.
Në fund, KKSB në Malishevë, doli me një apel drejtuar qytetarëve të Komunës së Malishevës, përmes së cilit kërkohet vazhdimi i zbatimit të masave dhe udhëzimeve nga institucionet përgjegjëse shëndetësore, me qëllim të ruajtjes së shëndeti të qytetarëve.