Të hyrat vetanake të komunave të Kosovës në nëntëmujorin e parë të vitit 2018 kanë shënuar një rritje prej 3 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017, ndërsa të hyrat vetanake jo-tatimore kanë pësuar rënie prej 1 për qind.
Në raportin nëntëmujor të buxhetit prezantuar nga Ministria e Financave, të hyrat nga Tatimi në Pronë në këtë periudhë ishin 18.14 milionë euro, krahasuar me 17.66 milionë euro që ishte në vitin 2017 apo 2.49 milionë euro më pak se në vitin 2016.
Për sa i përket grumbullimit të kësaj takse, Mamusha është komuna që ka realizuar më shumë planin për grumbullimin e kësaj të hyre, ndërsa Komuna e Dragashit është e fundit.
“Për sa i përket planit të realizmit të të hyrave nga Tatimi në Pronë, Komuna e Mamushës ka realizuar planin prej 64 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa më së paku që ka realizuar planin është Komuna e Dragashit me minus 22 për qind”, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.
Janë gjashtë komuna të Kosovës të cilat grumbullojnë miliona euro të hyra nga kjo taksë.
Për nëntë muaj, Komuna e Prishtinës grumbulloi 5.42 milionë euro, pastaj Komuna e Prizrenit me 1.62 milionë euro, Komuna e Ferizajt me 1.32 milionë euro dhe komunat e Gjilanit, Gjakovës, Pejës grumbulluan total 3.22 milionë euro.
Në anën tjetër, komunat më të vogla të cilat grumbulluan më pak të hyra nga taksa e pronës janë Komuna e Ranillugut dhe Mamushës me 20 mijë euro, Junikut me 40 mijë euro, Kllokotit dhe Novobërdës me 50 mijë euro dhe Hanit Elezit dhe Shtimes me 100 mijë euro, kurse janë 21 komuna që kanë të hyra më pak se një milion euro.
Ministria e Financave tha se taksat komunale kanë pësuar rënie prej 15 për qind, gjithashtu të hyrat nga gjobat, dënimet dhe konfiskimet shënuan rënie prej 12 për qind.
“Të hyrat tatimore, përkatësisht Tatimi në Pronë, gjatë periudhës nëntëmujore të vitit 2018 ishin 18.14 milionë euro, apo me një rritje prej 3 për qind. Në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, këto të hyra ishin 17.66 milionë euro, kurse në vitin 2016 për nëntë muaj nga Tatimi në Pronë u grumbulluan 20.63 milionë euro”, thuhet në raport.
Pjesa dërmuese e komunave të Kosovës të paraqitura në këtë raport të ministrisë, patën rënie të grumbullimit të të hyrave nga Taksa e Pronës.