Kuvendi komunal i Prishtinës, ka diskutuar të hënën planin për Lagjen Kalabria. Partitë opozitare e kundërshtuan këtë plan, ndërsa pushteti komunal kërkuan votë për planin që e konsiderojnë jetik për këtë lagje, raporton Ekonomia Online.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se disa banorëve duhet t’iu kthehet koeficienti nga 1.5 në 2.4, sepse ata nuk kanë blerë për ndërtim, por jetojnë me dekada aty.
“E para, banorët të cilëve iu është përcaktuar 1.5 koeficienti t’i kthehen në 2.4, janë rreth 20 familje qe si kanë ble për tregti, por janë banorë që banojnë aty me dekada e ndoshta edhe me shekuj. Këto familje ndër vite bëjnë jetë të rëndë për shkak se pushtetet komunale nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta. Vërejtja e dytë ka të bëj me stacionin e autobusëve. Në planin e ri kryetar ju propozoni koeficientin më të madh. Arsyetimet për kompensim për unazën e qytetit nuk qëndrojnë, unaza e madhe duhet të bëhet bashkë me pushtetin qendror”, ka thënë Sveçla.
Ndërkaq shefja e asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, tha se është e lumtur që plani për këtë lagje është vënë në rend dite të Kuvendit Komunal.
“Kalabria me këtë plan do të ruhet nga betoni, do të krijohen hapësira të gjelbra, për shkolla e çerdhe të reja. Kjo lagje do bëhet lagje moderne e Prishtinës, që lidh Prishtinën me Prishtinën e re, dhe Fushë Kosovën. Të dashur qytetar, jemi në dijeni që një pjesë kanë pakënaqësi me trajtimin e parcelave, por është me rëndësi që ky plan të trajtohet i tillë. Ka pasur vlerësime për koeficientet e tilla, por mendojmë që të njëjtës t’i rritet vlera siç e përcakton ligji”, theksoi Rafuna.
Por, kundër këtij plani doli, Partia Demokratike e Kosovës.
Shefi i asamblistëve të kësaj partie, Leotrim Retkoceri, tha se sot është njëra nga seancat më të rëndësishme që do të vendos për fatin e planit rregullues, për lagjen Kalabria.
“Ka pabarazi në ketë plan, e kjo nuk është e drejtë, sepse pritjet kanë qenë të rritet infrastruktura publike. E pamë arsyetimin për t’ia rrit vlerën publike, asnjëherë gjatë fushatës se kemi dëgjuar kryetarin Rama se vlera i rritet pronës publike duke e ndërtuar. Jemi tu fol për vitin 2024 dhe ky plan është i ngjashëm me një që ka ndodh në Prishtinën e re. Kolegë mos bini pre e pazarit, sepse e justifikon një plan te keq”, tha Retkoceri.
Ai pati edhe një mesazh për asamblistët e LDK-së, duke iu thënë atyre se gjysma e grupit nuk janë për ta votuar këtë plan.
Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive politike, ta miratojnë planin e lagjes “Kalabria”.
“Që nga fillimi unë siç kam premtuar edhe po bej. Çka ka ndodh që arsyeja tash për me ri-zhvillu ka qenë që të ofrojmë edhe aspekte tjera të shërbimeve ndaj qytetarëve, pra kur të zhvillohen këta metra katror me pas shkolla, çerdhe, hapësira të gjelbra. Ne tash po e balancojmë në të gjithë Kalabrinë, kemi vendos që të kemi mundësi aty ku duhen çerdhe të ketë çerdhe, banesë për çështje sociale të ketë për të”, tha Rama.
Rama shtoi se përkundër qeverisë së kaluar ku disa prona për park kishin koeficient 0, ai e ka kthyer në 1.
“Ngritja e vlerës së pronave të komunës është prej pikave kyçe, duke e zhvilluar Prishtinën shumë më mirë, shumë më shpejt me projekte të mira për Prishtinën, e gjithë Kosovën. Pikërisht në atë pikë kemi transportin urban, treni po ashtu kalon afër dhe ndërlidhja e mundëson që ne aty me ngrit koeficientin. Ju ftoj pa e politizuar këtë çështje të gjitha partitë politike të marrin një gjysmë ore në zyrën time, të vijmë me një propozim bashkë më drejtorin e urbanizmit e ta shtyjmë përpara këtë çështje”, u shpreh Rama.