Komuna e Prishtinës reagon për zjarret: Apel qytetarëve për kujdes maksimal

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinës ka reaguar lidhur me zjarret që kanë përfshirë malet dhe zonat përreth kryeqytetit, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal gjatë ditëve me temperatura të larta dhe kushte të thata.

Përmes një apeli urgjent, Komuna u ka kërkuar qytetarëve të mos ndezin zjarre në natyrë, të mos djegin barishte, hamullishta apo mbeturina dhe të mos hedhin cigare të ndezura. Po ashtu, qytetarët janë porositur të mos lënë prush apo materiale që mund të shkaktojnë përhapjen e zjarrit.

“Një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë një katastrofë të madhe”, thuhet në apelin e Komunës, e cila thekson se mbrojtja e natyrës, pronës dhe jetës së qytetarëve është përgjegjësi e përbashkët.

Komuna ka falënderuar në veçanti Zjarrfikësit e Kryeqytetit dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca për angazhimin e tyre në përballimin e situatës.

Në rast se qytetarët vërejnë tym apo zjarr, u bëhet thirrje të largohen nga zona e rrezikut dhe të njoftojnë menjëherë Zjarrfikësit në numrin 193.

Komuna apelon që të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe të kontribuojnë në parandalimin e zjarreve gjatë kësaj periudhe të nxehtë.

Të ngjashme