EC Ma Ndryshe ka realizuar performancën publike në sheshin para ndërtesë së Postës në Prizren përkatësisht “Monumentit të Lirisë”, me anë të cilës është shprehur pakënaqësia për vendosjen e pengesës në mes të trotuarit.
Sipas kësaj organizate, në këtë hapësirë publike të qendrës historike të qytetit, intervenimi i Komunës së Prizrenit me mjetet financiare publike në vend se të krijojë një trotuar të qasshëm për të gjithë përkundrazi ka krijuar një mjedis që pengon lirinë e lëvizjes për të gjitha kategoritë e shoqërisë, shkruan në komunikatën e Ec Ma Ndryshe.
“Në kuadër të performancës, me një kuti me pasqyre është mbuluar njëra pjesë e pengesës, që ndodhet në mes të trotuarit. Në këtë mënyrë pasqyrohet rruga në të dy anët për të arritur efektin optik se gjoja kalimi është i hapur”.
Performanca publike është realizuar pas kërkesave të banorëve të qytetit dhe EC-it të adresuara në Komunën e Prizrenit për largimin e pengesës në fjalë, por autoritetet lokale deri më tani nuk kanë marrë masa në këtë drejtim, duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Bllokimi i trotuareve në qytetin e Prizrenit gjatë viteve të fundit është veçuar si njëri prej shqetësimeve kryesore të banorëve të Prizrenit në kuadër të anketimit të tyre nga EC-i mbi planifikimin urban.
Në hulumtimet e mëparshme, EC shprehet se ka argumentuar se përse planifikimi dhe ndërtimi duhet ti përmbushin nevojat e të gjitha kategorive të shoqërisë, dhe përse hapësira e ndërtuar nuk duhet të ketë pengesa, ashtu që ti përmbush nevojat e të gjithë njerëzve në mënyrë të barabartë.
Sipas këtyre hulumtimeve të organizatës, del se planifikimi i intervenimeve ndërtuese dhe identifikimi i problemeve dhe nevojave nuk bëhet duke përfshirë komunitetin në këtë proces. Andaj mjedisi i ndërtuar vazhdon të jetë i paqasshëm, si dhe komunitetet e prekura nga këto aktivitete planifikuese dhe ndërtimore, e në veçanti PAK, vazhdojnë të përballen me barriera në qytet.
“Ato pak përpjekje që bëhen për të lehtësuar qasjen, bëhen sa për sy e faqe, pa i marrë parasysh të gjitha rregullat që janë pjesë e UA 33/2007 apo nevojat e komunitetit që do ta shfrytëzojë atë mjedis. Gjithandej në qytet mund të shihen intervenime gjysmake që kanë për qëllim përmbushjen sipërfaqësore të kriterit ligjor, por jo edhe zgjidhjen e problemeve reale. Inspektorët komunalë i kapërcejnë këto kritere gjatë vëzhgimit të implementimit të këtij udhëzimi administrativ, duke u thirrur edhe në mungesë të kapaciteteve njerëzore. Kjo ndodh në të dy rastet, edhe kur kemi të bëjmë me punët përmirësuese dhe për punët e ndërtimeve të reja, të cilat normalisht do të duhej të ishin në pajtim të plotë me kriteret e këtij udhëzimi administrativ”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga EC Ma Ndryshe.
“Qytetet Gjithëpërfshirëse…” është projekt i EC, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit.