Tetë parti politike kanë përfituar jashtëligjshëm në vitin 2016 nga prona komunale në Prizren fal një vendimi kontravers të kryetarit të kësaj komune, Ramadan Muja. Lokalet, sipas Auditorit të Përgjithshëm, komuna i lëshoi me qira pa kontrata dhe me çmime qesharake.
Si pasojë komuna u dëmtua rreth 850 mijë euro nga qiraja komunale, shkruan Gazeta Fjala.
Komuna kishte planifikuar të hyra nga qiraja për vitin 2016, 1 milionë e 350 mijë euro, kurse arriti të inkasojë vetëm 501 mijë e 328 euro. Çmimi i qirasë për këto tetë lokale ishte qesharak. Nga 1 euro qira pagoi secila parti në muaj.
Sipas Auditorit, lokalet u dhanë në shfrytëzim jashtëligjshëm. Nuk u organizua as ankand publik, siç e kërkon Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale.
Krejt kjo u bazua në një vendim të asamblesë komunale, që ishte nxjerrë në vitin 2005.
Po ashtu, Auditori gjeti edhe tetë lokale tjera, objekte të komunës, të cilat ishin lëshuar me qira pa u organizuar ankand publik nga komuna. Edhe këto lokale shfrytëzohen nga parti politike, por edhe nga disa organizata joqeveritare.
Komuna lëshon prona me qira pa kontrata valide
Vetëm në dy raste Auditori gjeti se qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013. Ata vazhdojnë të ngarkohen me qira vetëm me një shkresë të Drejtorisë së shërbimeve publike të datës 10.11.2014.
Këta obligues i kanë borxh komunës shumën 285 834 euro, shkruan Gazeta Fjala.
Në një rast tjetër, komuna ka kontratë që nga viti 2009 me një operator për shfrytëzimin e tregut të gjelbër me qira mujore prej 180 euro në muaj.
“Ne kemi vërejtur se operatori ekonomik nuk ka kryer obligimet sipas kontratës dhe nuk ka paguar asnjëherë obligimin ndaj komunës. Borxhi total kishte arritur në 14 580€. Më tutje, për rastet e përmendura, komuna nuk kishte organizuar ankande publike edhe pse Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale kishte hyrë në fuqi në vitin 2012”, konstaton Auditori në raportin e tij për komunën e Prizrenit.
Gjithashtu, në dy raste komuna me kontratë ka dhënë në shfrytëzim lokalet afariste, mirëpo qiramarrësit nuk i kryejnë obligimet sipas kontratës dhe borxhi i tyre arrin 3 534 euro.
Rekomandimi i Auditorit për kryetarin Muja
Auditori ka konstatuar se dhënia e pronës komunale me qira pa organizuar ankand publik paraqet rrezik të zgjedhjes së gabuar duke e kufizuar ofertën e tregut dhe dëmton parimin e konkurrencës së lirë dhe trajtimit të barabartë për të gjithë të interesuarit.
Po ashtu, shfrytëzimi i hapësirave publike pa kontrata valide mes komunës dhe shfrytëzuesve të pronës komunale, rritë rrezikun që inkasimi i detyrimeve të mbetura të vijë në pikëpyetje apo edhe të mos inkasohen fare. Kjo mund t’i shkaktoj komunës humbje të konsiderueshme financiare.
“Kryetari duhet të siguroj organizimin e ankandeve publike në rastet e dhënies me qira të pronave komunale në mënyrë që të ketë një proces të hapur dhe transparent, si dhe të ushtroj monitorim të vazhdueshëm tek shfrytëzimi i hapësirave publike në mënyrë që të mos shfrytëzohen pronat komunale pa kryer paraprakisht obligimet sipas kontratave të lidhura. Duhet vendosur edhe mekanizmat që pronat të mos shfrytëzohen pa pasur paraprakisht kontratë valide, të nënshkruar me komunën”, konstaton Auditori.