Komuna e Rahovecit arrin realizimin e buxhetit për vitin e kaluar në 99.24%

Prishtinë | 31 Jan 2025 | 12:29 | Nga Gzim Mujaj

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Komunës së Rahovecit të mbajtur sot është bërë e ditur se realizmi i buxhetit për vitin 2024 ka qenë në nivel të lartë, raporton Ekonomia Online.

Afrim Limani, drejtor në Drejtorin për Buxhet dhe Financa, duke paraqitur raportin vjetor financiar janar – dhjetor 2024, ka bërë të ditur se shpenzimet e përgjithshme të buxhetit kanë arritur 99.24 për qind të realizimit.

“Shpenzimi i buxhetit në total në vlerë ka shkuar prej mbi 22 milion 600 mijë, shprehur në përqindje 99.24 për qind. Të gjitha kategoritë e shpenzimeve janë të shpenzuara qind për qind, me përjashtim investimet kapitale që janë me 97.60 për qind”, ka thënë ai.

Po ashtu në këtë mbledhje u mor vendim për dhënien në shfrytëzim Ministrisë së Ekonomisë pronën komunale për ndërtimin e centralit fotovoltaik me kapacitet 100 MË.

Drejtori drejtorisë së Gjeodezisë, Kadastrës dhe Pronës, Afrim Oruqi, tha se ky është ndër projektet më të mëdha të kësaj komune që nga pas lufta.

“Bazuar në kërkesat zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, MAPL dhe Ministrisë së Financave, ka ardhur një shkresë nga ministrja Artane Rizvanolli, për disa parcela, është investim milionësh me i madhi në Komunën e Rahovecit që nga pas luftës”, ka thënë ai.

Ministria e Ekonomisë, si shfrytëzuese e parcelave të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, ka dhënë me qira tek “Lindja Solar” hapësirën për realizimin e projektit solar në Kramovik. Kjo pronë ka një sipërfaqe prej rreth 1.69 ha nga një total prej 104.81 ha, për një periudhë 34-vjeçare, pa kompensim, siç parashihet me ligj.

Gjithashtu Kuvendi Komunal të premten ka miratuar propozim-vendimin për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për qytetarët e komunës së Rahovecit, për vitin 2025, në vlerën e 280 eurove.

Të ngjashme