Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë një konference për media ka publikuar “Transparometrin Komunal” si instrument i matjes dhe krahasimit të transparencës në gjashtë Komunat e regjionit të Prizrenit (Prizren, Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash dhe Mamushë).
Naim Cahani zyrtar i KDI-s, gjatë konferencës prezantoi metodologjinë ku tha se “matja e transparencës së Komunave është realizuar përmes një indeksi i cili përbëhet nga 44 indikatorë matës të transparencës Komunale dhe është i bazuar në katër shtyllat e vlerësimit: transparenca në zyrën e Kryetari/es, Kuvendin e Komunës, financat Komunale si dhe transparencën në konsultim me publikun. Secila nga katër shtyllat përmban gjithsej 11 indikatorë.
Gentian Kryeziu ka prezantuar të gjeturat tjera të transparencës Komunale. Sipas tij, Komuna e Rahovecit prinë me transparencë në shtyllën e Zyrës së Kryetarit/es, ku nga 35 pikët e mundshme është vlerësuar më 31.3 pikë, ajo e Malishevës me 29.7 pikë , Komuna e Prizrenit me 20.0 pikë , Komuna e Suharekës me 18.7 pikë, Komuna e Dragashit me 15.0 pikë si dhe Komuna e Mamushës me 4.3 pikë. Gjithashtu, edhe në shtyllën e financave Komunale, Komuna më transparente në këtë rrafsh është treguar ajo e Rahovecit, ku nga 35 pikët e mundshme, kjo komunë është vlerësuar më 32.3 pikë, e pasuar nga Komuna e Prizrenit me 27.7 pikë, pastaj Komuna e Dragashit me 26.7 pikë, Komuna e Malishevës me 25.0 pikë, Komuna e Suharekës me 20.0 pikë, si dhe Komuna e Mamushës me 9.3 pikë.
Në shtyllën e konsultimeve me publikun, Komuna e Malishevës shënoi pikët më të mëdha duke u renditur si komunë e parë nga gjashtë Komunat e targetuara në transparometrin Komunal. Nga 35 pikët e mundshme, kjo komunë është vlerësuar me 26.3 pikë, e pasuar nga Komuna e Rahovecit dhe Prizrenit me nga 23.3 pikë, Komuna e Suharekës me 21.3 pikë, Komuna e Dragashit me 18.3 pikë si dhe Komuna e Mamushës me 13.3 pikë – përfundoi Kryeziu.