Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina është pritur të premten nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, me të cilin kanë lidhur kontratë të përbashkët për ofrimin e shërbimeve të Telekomit të Kosovës.
Të gjithë punonjësit e kësaj komune nga dita e sotme do të mund të komunikojnë më shumë me njëri-tjetrit, por duke shpenzuar më pak për shkak të atraktivitetit të pakove të përzgjedhura të VALA-s.
“Sot nënshkruam marrëveshje me Komunën e Skenderajt, për ofrimin e shërbimeve dhe produkteve të kompanisë sonë. Kjo marrëveshje e re, përveç që dëshmon rikthimin e besimit në operatorin publik të telefonisë, gjithashtu siguron mbështetjen e komunës në realizimin e suksesshëm të projekteve tona, që për qëllim kanë ofrimin e shërbimeve cilësore, për të gjithë konsumatorët tanë”, deklaroi Zeqir Kiqina me rastin e nënshkrimit të kësaj kontrate.
Nënshkrimi i kësaj kontrate do të lehtësojë komunikimin e tërë personelit të Komunës së Skenderaj, punëtorëve arsimorë, shëndetësorë dhe gjithë punonjësve të sektorit publik, përmes pakove të reja PostPaid dhe PrePaid, ndërsa Telekomit të Kosovës do t’i sjellë në total afër 1200 konsumatorë të rinj.
“Telekomi i Kosovës, Vala ofron shërbime mjaft të mira, cilësore dhe të leverdishme për qytetarët tanë. Përveç shfrytëzimit të këtyre shërbimeve, ne, gjithashtu do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme teknike dhe ligjore, kurdo që Telekomi i Kosovës planifikon të bëjë investime, në zgjerimin e rrjetit të vet telekomunikues në tërë territorin e komunës sonë”, u shpreh Bekim Jashari, kryetar i komunës së Skenderajt.
Telekomi i Kosovës, Vala edhe në të ardhmen do të vazhdojë me përmbushjen e synimeve strategjike, për të plotësuar në vazhdimësi kërkesat dhe nevojat e konsumatorëve për komunikim sa më cilësor duke u mundësuar kështu institucioneve publike dhe shtetërore si dhe bizneseve e ndërmarrjeve private për të shfrytëzuar produktet dhe shërbimet me pako sa më të favorshme.