Projekti i ndërtimit të sheshit në komunën e Suharekës i paraparë të përfundojë në këtë vit mund të shtyhet për shkak të buxhetit.
Mjetet financiare prej 1 milion eurosh të ndara nga Ministria e Infrastrukturës, komuna e Suharekës pret t’i alokohen për përfundim të projektit.
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i tha Ekonomia Online se në këtë vit do të fillojë projektet në 42 fshatra.
“Këtë vit jemi më vonesë për shkak procedurave. Pres të filloj në 42 fshatra dhe në qytet. Komplet komuna do të përfshihet, ka projekte në çdo fshat. Jemi në vlugun e sheshit që është një projekt i rëndësishëm për qytetarët”.
“Kemi filluar unazën e re prej 5 kilometrash. Jemi në përfundim të zonës industriale po ashtu kemi filluar një rrugë malore për zhvillimin e turizmit”.
“Projekti i sheshit plani ka qenë 10 muaj, por për shkak pandemisë nuk është punuar 3 muaj po ashtu edhe si arsye buxhetit si shkak i marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës prej 1 milion euro e cila, besoj që mjetet do të kthehen dhe këtë vit do të përfundoj sheshi”, u shpreh ai.
Mes tjerash, Muharremaj potencoi se kanë rënë të hyrat si shkak i pandemisë. Por siç njoftoi ai komuna është në përgatitje të pakos për t’i ndihmuar bizneset.
Muharremaj foli edhe për donacionet e pranuara në këtë komunë, për të cilat tha se për dy vitesh janë afro 5 milionë euro.
“Rënia është e madhe e të hyrave, është duke u përgatit një pako për t’iu mundësuar disa kushte bizneseve”.
“Besoj që do t’i rrisim të hyrat nga lejet ndërtimore. Po ashtu edhe në mbledhjen e taksave të qytetarëve deri në 70 për qind për planifikim të buxhetit”, tha ai.
I pari i Suharekës deklaroi po ashtu se komuna është në përfundim e sipër të shtëpisë së pleqve, raporton EO.
“Kemi një numër të madh të donacioneve, për dy vite kemi afro 5 milionë euro. Jemi në prag të përfundimisht të shtëpisë së pleqve që është vlera mbi 3 milionë euro”.
“Kemi një grant nga Ministria e Pushtetit Lokal ku vlera e tij është 230 mijë euro ku në këtë vit do të ndërtohen edhe 10 parqe e lojëra për fëmijë”, ka thënë Muharremaj.