Komuna e Vitisë dhe San Cosmo Albanese nënshkruajnë marrëveshjen e binjakëzimit

Prishtinë | 07 Nën 2026 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe kryetari i Bashkisë së San Cosmo Albanese në Itali, Damiano Baffa, nënshkruan sot marrëveshjen e binjakëzimit ndërmjet dy komunave, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi dhe forcimi të lidhjeve ndërmjet qytetarëve të tyre.

Ceremonia u zhvillua në San Cosmo Albanese, në Kalabri, në kuadër të veprimtarisë kushtuar poetit arbëresh Zef Serembe, e cila bashkon përfaqësues nga lokalitete të ndryshme arbëreshe. Ky binjakëzim mbështetet në afërsinë kulturore, trashëgiminë e përbashkët dhe vullnetin për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet dy komuniteteve.

Në fjalën e tij, kryetari Haliti falënderoi nikoqirët për ftesën dhe mikpritjen, përgëzoi organizatorët për veprimtarinë dhe vlerësoi kontributin e arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës dhe traditave ndër shekuj. Ai shprehu përkushtimin e Komunës së Vitisë për ta zhvilluar këtë partneritet përmes nismave të përbashkëta.

Bashkëpunimi ndërmjet Vitisë dhe San Cosmo Albanese synon shkëmbime në arsim, kulturë dhe rini, promovimin e trashëgimisë dhe turizmit, si dhe shkëmbimin e përvojave në qeverisjen lokale.

Kryetari Haliti u përcolli përfaqësuesve të San Cosmo Albanese ftesën për ta vizituar Vitinë, duke shprehur gatishmërinë për ta çuar përpara partneritetin me angazhim të përbashkët.

Postimi i plotë:

Të ngjashme