Komuna e Vitisë shpenzoi 16 mijë euro për dreka e darka

Viti | 03 Gus 2016 | 11:55 | Nga

Opozita në Komunën e Vitisë është ka akuzuar qeverisjen komunale, e cila drejtohet nga kryetari Sokol Haliti e që ka të bëjë me shpenzimin e parasë publike për dreka e darka, e cila për gjashtëmujorin e këtij viti, sipas opozitës, kap shifrën 16 mijë euro si edhe mosarkëtimin e mjeteve buxhetore nga shfrytëzimi i pronës komunale.

Pjesëtarë të opozitës deklarojnë se komuna deri tashti nuk ka arritur që të rregullonte infrastrukturën e brendshme siç janë Tregu i Gjelbër që mbahet edhe më tej peng i problemeve pronësore me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) si edhe zvarritjen e procesit të themelimit të ndërmarrjes komunale të Stacionit të Autobusëve.

Opozita thotë se Komuna e Vitisë edhe më tej është duke mbetur mbrapa sa i përket zhvillimit si komunë në raport me komunat e tjera të Kosovës në shumë aspekte.

Ibrahim Rama, drejtor i Buxhetit, deklaroi se shumë procese, të cilat komuna do t’ishte dashur t’i kryente janë duke u mbajtur peng nga niveli qendror . Ai thotë se komuna do të investonte në Tregun e Gjelbër, mirëpo këtë nuk mund të bëjë ngase kjo pronë është nën menaxhimin e AKP-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme