Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, është takuar të enjten me studentë dhe nxënësit që janë përfitues te 95 bursave në vlerë prej 600 eurove, raporton Ekonomia Online.
Idrizi tha se ndihet jashtëzakonisht mirë që është në mesin e të rinjve që janë përfitues të bursave, e sipas tij këtë vit janë ndarë 80 bursa për studime bachelor dhe master në nivel të vendit, si dhe për herë të parë janë ndarë 15 bursa për të rinj dhe të reja që studiojnë jashtë vendit.
Idrizi theksoi se kanë arritur marrëveshje bashkëpunimit me Universitetin e York-ut në Mbretëri të Bashkuar, për ku i kanë ndarë 10 bursa, pesë të plota nga 100% mbulim të shpenzimeve dhe pesë të tjera me bashkëfinancim.
“Ju them sinqerisht, pa gjuhë politike që ndihem jashtëzakonisht mirë që ndihem pranë jush. Pjesë qendrore e programit tim qeverisës ka qenë mbështetja për të rinjtë dhe të rejat dhe duke i pasur parasysh të gjitha këto vitin qe jemi e kemi rritur numrin e bursave në 80 dhe kemi arritur në 600 euro përderisa edhe vetë UP ndan nga 500. Kemi vendosur t’i shpërblejmë edhe tri vendet e para në gara komunale, regjionale dhe republikane”.
“Pra i kemi ndarë 80 bursa për studime bachelor dhe master në nivel të vendit, si dhe i kemi ndarë për herë të parë 15 bursa për të rinj dhe të reja që studiojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës e veçantë tjetër është se kemi nënshkruar marrëveshje me York University, një universitet i Mbretërisë së Bashkuar, është i ranguar në listën e Shangait i 12-ti, dhe aty i kemi ndarë 10 bursa, 5 të plota 100% ndërsa të tjerat me bashkëfinancim. Ajo çka unë do kërkoja nga të gjithë ju është se kemi dëshirë që javën e ardhshme ta kemi një takim të përbashkët me të rinjtë e të rejat e Vushtrrisë”, tha ai.
Idrizi tha se grupi i të rinjve e të rejave janë grupi më i vlerësuar nga ana e tij, dhe se do e mbështes rininë e Vushtrrisë pa asnjë hezitim. Ai tha se si komunë kanë mbështetur trajnimet e profileve profesionale të cilat do u mundësojnë të rinjve të gjejnë veten në tregun e punës.
“Unë jam kryetar i zgjedhur me votat e juaja por dua ta përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm, ju jeni grupi më i vlerësuar nga ana ime. Ky grup është rinia e Vushtrrisë dhe unë e mbështes pa hezitim. Juve ju shoh si e ardhmja e qytetit të Vushtrrisë, ju shoh si bashkëmoshatarë të fëmijëve të mi. E keni derën e hapur tek unë dhe tek drejtori i arsimit. Këtë vit kemi pasur numër të nxënësve që i kemi financuar për 10 profile profesionale për trajnime profesionale, pra me të vetmin qëllim që të rinjtë e të rejat t’i përgatisim për treg të punës, që ta gjejnë veten në tregun e punës. Dua të shoh te rinia një rini që nuk dorëzohet”, tha ai.
Kryetari tha se mesazhi i tij është që të rinjtë të garojnë për dije e jo për dokumente që nuk përfaqësojnë dije cilësore, e të cilat sipas Idrizit nuk kanë vlerë, sepse në të kundërt koston e tyre në të ardhmen do ta paguajnë vetë ata.
“Mesazhi im është që ju të garoni për dije, mos u kënaqni vetëm me letra, sepse nëse letrat, nëse diplomat nuk mbulohen me dije cilësore nuk kanë vlerë, dhe koston e tyre do ta paguani ju. Besoj fuqishëm që ju nuk do ta bëni atë, që ju do të garoni për dije cilësore dhe që do të jeni kuadro për lakmi”, tha ai.