Komuna e Vushtrrisë në bashkëfinancim me shoqatën Islamic Relif Kosova, prej fillimit të muajit maj do të nis implementimin e projekti “Mjeku në shtëpi” të dizajnuar nga DShPS.
Kështu u pajtuan palët me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Komunës së Vushtrrisë dhe Islamic Relief Kosova.
Drejtoria për Shëndetësi në këtë projekt do të bashkë financojë me 19 900 euro ndërsa Islamic Relief Kosova do të financojë më 20 000 euro.
Përmes këtij bashkëpunimit mes IRK dhe Komunës do të arrihet të realizohet projekti që ka për qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësor në shtëpi, me rastin e vizitave mjekësore nga ana e stafit shëndetësor, pa pagesë për të gjithë banorët e Komunës, me fokus në vizita në shtëpitë e tyre të lehonave dhe foshnjave, personave me aftësi të kufizuar, personave me sëmundje kronike, personat me sëmundje kronike si dhe personave të moshës së shtyrë.
Projekti do të realizohet përmes angazhimit të tetë punonjësve shëndetësor, të cilët do ti ofrojnë këto shërbime për këto kategori. Sipas statistikave të poseduara përfitues direkt nga ky projekt do të jenë; rreth 1 100 gra lehona dhe 1 100 foshnje, 5 000 presona të moshës së tretë, rreth 500 persona me aftësi të kufizuara dhe për afërsisht rreth 400 persona me sëmundje kronike.
Abdullah Klinaku, drejtori për Shëndetësi falënderoi drejtorin e organizatës “Islamic Relief Kosova” për angazhimin deri në realizimin e këtij projekti dhe për mbështetjen financiare të këtij projekti.
Klinaku, potencoi se përfitues nga ky projekt do të jenë banorët e komunës sonë që kanë nevojë për këto shërbime si dhe mjekët dhe infermierët që janë të pa punësuar në komunën tonë. Drejtori i organizatës Islamic Relief Kosova, Ramadan Berisha, tha se i ofron mbështetje të fuqishme komunës së Vushtrrisë për realizimin e këtij projekti si dhe në projekte të tjera të planifikuara.
Ndryshe, komuna e Vushtrrisë dhe Islamic Relief Kosova, kanë bashkëpunim shumë të mirë në këto tri vitet e fundit prej të cilit komuna ka pas përfitim shumë të madh!