Komuna e Vushtrrisë përgatit planin për Rimëkëmbjen Ekonomike

Prishtinë | 22 Jan 2021 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se gjatë vitit të kaluar, 331 biznese kanë mbyllur operimin e tyre si pasojë e koronavirusit.

Gjithashtu, në 2020-n, 60 për qind të familjeve kanë thënë se kanë pasur më pak të hyra financiare.

Këto i ka bërë të ditur kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili ka thënë se Komuna ka përpiluar Planin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Tahiri ka thënë se Komuna ka paraparë zbutjen e ndikimit të pandemisë në vitin 2020 dhe masat e Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Objektivi i parë është zbutja e ndikimit të pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike e determinuar nga aktivitete të shtrira në periudhën kohore 2020-2021, por që masat e ndërmarra në vitin 2021 do të përsëriten për pesë vitet e ardhshme”, thuhet në prezantimin e publikuar.

Tahiri ka njoftuar se kanë përgatitur moratoriumin që përmban vendimet komunale lidhur me transferimin e shpenzimeve komuna në subvencione dhe transfere.

“Objektivi i dytë është i determinuar nga projekte dhe programe të pa afatizuara që e mundësojnë funksionimin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe projekte, implementimi i të cilave e kalon komunën në nivelin e një komune me qëndrueshmëri ekonomike dhe të zhvilluar, thuhet tutje.

Tahiri ka njoftuar se tutje kanë planifikuar të bëjnë lehtësimin e qasjes në kredi për ndërmarrjet private, për të financuar projekte investive dhe vazhdim të operimit.

Në Plan të Rimëkëmbjes, Tahiri ka potencuar se kanë planifikuar edhe lehtësim të qasjes në kredi për ndërmarrjet private.

“Rritja e punësimit, sipas zërave të masës. Rritja e prodhimit bujqësor vendor, për të rritur punësimin në zonat rurale. Mbështetjet e operimit dhe investimeve kapitale të ndërmarrjeve publike komunale. Mbështetja financiare për punësimin e të rinjve, përkrahjen e organizatave të shoqërisë civile, grupeve tjera jo-formale”, thuhet në pikat e planit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme