Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të shkollave të Prishtinës, nga tetori do t’i marrin pagat me rritje për 130 euro, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se Komuna e Prishtinës ua ka plotësuar 95 për qind të kërkesave të tyre, ndërsa pagat e punëtorëve teknikë nga muaji i ardhshëm do të jenë 400 euro bruto.
“Oferta e Komunës së Prishtinës i plotëson kriteret dhe kërkesën tonë, 95 për qind të asaj që e kemi kërkuar është realizuar. Ne kemi kërkuar që marrëveshja të bëhet edhe me tri shkolla të mesme. Kontrata me 250 euro që ka qenë dhe është deri më 30 shtator, me 1 tetor fillon paga e tyre me 400 euro bruto. Pra, paga e tyre do të rritet për 130 euro – 380 euro neto. Shkollat fillore kanë qenë data 9 shtator, e cila skadon por nuk është zgjedhur operatori i ri pasi që ata thonë qe ka qenë një operator i papërgjegjshëm”, u shpreh Azemi.
Ai ka thënë se rritje të pagave do të kërkojnë edhe vitin e ardhshëm, me kërkesë që e njëjta të bëhet 470 euro.
“Nga presioni serioz i punëtorëve dhe puna serioze e komunës së Prishtinës me datën 16 shtator do të fillojë edhe paga e tyre të jetë 400 euro ose 380 euro neto, të gjitha shoqatat e kanë përkrah këtë vendim, por bashkëpunimi me komunën e Prishtinës nuk do të përfundojë këtu sepse ne mendojmë në vitin e ri kjo pagë duhet të rritet deri 470 euro. Kemi edhe telashe me mospagesën e stazhit të punës atë do të kërkojmë që nga 6 ditshi i mëhershëm dhe do ti kërkohet secilës kompani dhe vetë komunës nëse nuk janë paguar me rregull dhe do të shkojë në aspekt ligjor”.