Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë mbajtur sot takime me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, si dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, me kërkesa konkrete për hapat që duhet ndërmarrë bashkërisht për të ndikuar kështu në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet.
Në takimin e përbashkët me këto institucione, të mbajtur në Komunën e Prishtinës, është rënë dakord që nga 31 janari të fillohet me zbatimin e masave emergjente, që janë të përkohshme deri në një vendim tjetër:
Reduktimi i numrit të makinave që qarkullojnë në kryeqytet, qoftë përmes ndaljes të të gjitha makinave që vijnë nga qytetet tjera, në hyrjet e kryeqytetit, në intervalet kohore 06:00-09:00 dhe 16:00-22:00; qoftë përmes seleksionimit të qarkullimit të makinave varësisht numrit të targave në të gjithë qytetin e Prishtinës (targat që numrin e fundit e kanë tek, qarkullojnë në datat tek; targat që numrin e fundit e kanë çift, qarkullojnë në datat çift).
“Do të sigurohen hapësira për parkim në hyrje të kryeqytetit, derisa të tejkalohet kjo fazë emergjente. Në të dyja rastet, do të shfrytëzohen pa pagesë autobusët e Trafikut Urban, që do të stacionohen në pikat më të frekuentuara”, thueht në një njoftim të Komunës, të lëshuar pas takimeve.
Subvencionimi i “Trafikut Urban” për këtë shërbim do të bëhet nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Si masë emergjente, po ashtu, është marrë vendim për ndalimin e shitjes dhe përdorimit të thëngjillit në Prishtinë. “Drejtoria e Inspeksionit, bashkë me inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, do t’i kontrollojnë bizneset që përdorin thëngjillin si lëndë djegëse, si dhe ekonomitë familjare, ashtu që të ndërmarrin masa në secilin rast ku tejkalohet norma e ndotjes”.
Sipas njoftimit të Komunës, tashmë, gjashtë ekipe të Drejtorisë së Inspeksionit janë në terren për të kontrolluar dokumentacionin e automjeteve transportuese, dhe për të verifikuar nëse e kanë bërë kontrollimin sipas ligjit (çdo 6 muaj). “Tri ekipe të tjera të Inspeksionit, janë aktivizuar në akset kryesore të hyrjes në Prishtinë, për t’i ndaluar taksitë ilegalë që vijnë nga komunat e tjera”.
Komuna e Prishtinës thotë se në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për ta tejkaluar këtë situatë emergjente.