Komunat e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë

Prishtinë | 25 Gus 2023 | 11:01 | Nga Gresë Alija Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë, raporton Ekonomia Online. Dorëzimin e kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Totaj tha se hyrja në fuqi e Ligjit, ku do të mundësohej falja e 100 eurove nga tatimi në pronë do të shkaktonte zvogëlim të të hyrave buxhetore.

Sipas tij, nisur nga kjo kanë kërkuar që të krijohet një masë mbrojtëse, për parandalimin e dëmeve para skadimit të datës për të marrë një vendim të tillë.

“Na sot kemi dal në Gjykatë Kushtetuese, e kemi dorëzuar një kërkesë për shqyrtimin e ligjshmërisë dhe ligjit për takimin në pronë, respektivisht për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë, mbas themelimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo është hera e parë që komunat e bëjnë një kërkesë të tillë, sepse kemi të bëjmë me ndërhyrje në kërkesat vetanake të komunave, për sa i përket autonomisë financiare edhe direkt në tentim të zvogëlimit të të hyrave buxhetore, që qeveria do të mund të shkaktonte po që se ky ligj miratohet nga ana e komunave”.

“Ne e pamë të udhës që të kontestojmë apo të kërkojmë një shpjegim, një kjartësim nga ana e gjykatës kushtetuese, por njëkohësisht deri sa vendimi të merret, kërkuam një masë parandaluese apo masë mbrojtëse që mos të kemi dëme, unë kam marrë autorizimin nga Bordi i AKK, që të bëjmë një gjë të tillë edhe e kam dorëzuar kërkesën në emër të komunës së Prizrenit, mirëpo probleme të njëjta i kanë po thuajse të gjitha komunat e Kosovës dhe një vendim eventual pozitiv, që ne e presim se do të merret nga Gjykata Kushtetuese do të vlejë për të gjitha komunat e jo vetëm për Prizrenin”.

Sipas Totajt, Gjykata Kushtetuese do ta aprovojë kërkesën sepse ky Ligj do t’u shkaktonte komunave dëm deri në 30 milionë euro në total.

“Jam shumë i sigurt që Gjykata Kushtetuese ka me na aprovuar kërkesën tonë, pasi që është evidente se ky ligji për tatimin në pronë ndërhynë në mënyrë direket në kompetencat e komunës për sa i përket autonomisë financiare dhe tenton t’i zvogëlojë të hyrat kur dami për të gjitha komunat e Kosovës do të jetë diku rreth 30 milion euro, të komunat e mëdha më shumë, te komunat e vogla ma pak, të Prizreni konkretisht dëmi apo zvogëlimi i të hyrave buxhetore do të jetë diku rreth 3 milion euro dhe mendoj që për komunat të cilat edhe ashtu e kanë të vogël buxhetin një zvogëlim për 30 milion eurove në total do t’i dëmtonte relativisht shumë, projektet të cilat tash me kanë filluar dhe janë në vijim e sipër”.

Kryetari i Prizrenit foli edhe për deklaratën e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili e quajti hipokrizi një veprim të tillë.

“Fjala hipokrizi mendoj që është një fjalë e rëndë dhe nuk mendoj që duhet të përdoren fjalë të tilla, përndryshe Ministrit i dëshiroj vikend të këndshëm sepse është sot e premte dhe mbas dite le të relaksohet pak dhe të mësohet me përdor një gjuhë më profesinale, më demokratike e jo fjalë të tilla si fjala hipokrizi”, tha ai, raporton EO.

Ky ligj parashihte faljen e 100 euro të tatimit në pronë për të gjithë qytetarët për vitin 2023.

Të mërkurën, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur absurde dhe hipokrizi paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme