Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të premten, ka bërë prezantimin e pakove informuese për procedurat e lejeve ndërtimore.
Ministrja Albena Reshitaj ka bërë të ditur se Pakoja informuese është standardizim dhe unifikim për aplikimin e lejeve. Sipas saj, kjo pako e lehtëson aplikimin për leje ndërtimore, shkruan sot Koha Ditore.
“Me anë të këtij standardizimi synohen lehtësimi dhe përshpejtimi i procedurave për pajisje me leje ndërtimi. Procedurat për marrjen e lejeve të ndërtimit janë unike për tërë territorin e Kosovës dhe si të tilla duhet të zbatohen njëjtë nga të gjitha komunat e vendit tonë. Deri më tani tek ne janë të identifikuara mbi 352 mijë ndërtime pa leje. Aktualisht ndodhemi para aprovimit të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe unë shpresoj shumë që sot në mbledhjen e Kuvendit do të kalojë në lexim të dytë ky ligj dhe do të jetë i gatshëm për implementim”, ka thënë Reshitaj.
Kurse kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu tha se me hartimin e akteve nënligjore do të shkurtohen edhe më shumë procedurat e lejeve të ndërtimit.
Në emër të komunave kosovare, Veliu ka kërkuar që edhe aplikimi për lejet ndërtimore të kryhet me shërbim online.