Komunat që kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje

Prishtinë | 22 Dhj 2021 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet lokale në Kosovë prodhuan dramë elektorale dhe përmbysje rezultatesh.

Epilogu final i zgjedhjeve lokale ka sjellë pozicionim të ri të partive në skenën politike.

Ndonëse morën besimin e qytetarëve për të qeverisur, fituesit ende nuk janë përcaktuar  rreth koalicioneve për të bashkëqeverisur me parti të tjera.

Që nga certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të raundit të dytë, vetëm komuna e Junikut, Vitisë, Kamenicës dhe Vushtrrisë kanë arritur marrëveshje për të qeverisur së bashku në mandatin 4 vjeçar.

Në zgjedhjet e këtij viti, në komunën e Junikut dhe Vitisë ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i ri i Junikut, Ruzhdi Shehu ka arritur marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka arritur marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës, marrëveshje kjo që do të zyrtarizohet më 28 dhjetor.

Komuna e Vushtrrisë që u fitua nga Partia Demokratike e Kosovës, ka arritur marrëveshje me AAK, Nismën dhe KDTP-në.

Komuna e Kamenicës e fituar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur marrëveshje koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, pas 12 viteve në komunën e Hanit të Elezit ka fituar Partia Demokratike e Kosovës. Kjo komunë do të udhëhiqet nga kryetari Mehmet Ballazhi, i cili ka deklaruar se nuk do të lidhë marrëveshje për të qeverisur me ndonjë parti politike.

Marrëveshje për koalicion nuk ka lidhur as komuna e Gjilanit, të cilën në zgjedhjet lokale në raundin e dytë fitoi Alban Hyseni, nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai gjatë ditës së djeshme ka bërë publike në Facebook se po mirëpret bashkëpunimin me subjektet e tjera politike.

Vlen të theksohet se partitë opozitare që pësuan rënien më të madhe në zgjedhjet nacionale të para tetë muajve, i kanë interpretuar fitoret nëpër komuna si rikthim të fuqisë elektorale.

Partia që udhëheq me qeverinë, e që në zgjedhjet nacionale të shkurtit kishte fituar mbi 50 për qind të votave, doli më së keqi nga partitë shqiptare.

Lëvizja Vetëvendosje fitoi në vetëm katër komuna në Gjilan, Shtime, Kamenicë dhe Podujevë.

Rezultati e ka nxjerrë PDK-në, fituese në Vushtrri, Kaçanik, Drenas, Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj e Han të Elezit.

Pas saj është LDK, e cila fitoi në kryeqytet dhe në shtatë komuna të tjera Lipjan, Pejë, Istog, Viti, Junik, Fushë-Kosovë e Dragash, transmeton demokracia.

AAK-ja ka fituar në Deçan, Suharekë, Gjakovë, Klinë dhe Rahovec. Ndërsa, Nisma do të udhëheqë prapë me Malishevën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme