Lëvizja FOL me mbështetjen e Friedrich Ebert Stifuting (FES) sot ka mbajtur diskutimin online me ç’rast ka publikuar raportin “Transparenca Komunale”.
Ky raport përfshinë gjetjet nga monitorimi i publikimit të Planeve të Veprimit të Transparencës Komunale dhe Kalendarin e Punës për vitin 2019-2020 në pesë (5) komuna të Kosovës; Klinë, Istog, Pejë, Deçan dhe Gjakovë, për periudhën janar 2019 – Qershor 2020.
Qëllimi i këtij raporti është vlerësimi i shkallës së përmbushjes së obligimeve komunale të transparencës dhe përfshirjes së qytetarisë aktive.
Alba Jakupi, nga Lëvizja FOL, tha se përmes publikimit të Planeve të Veprimit të Transparencës Komunale dhe Kalendarit të Punës, promovohet qytetaria aktive dhe llogaridhënia komunale, duke ofruar kësisoj mundësi të përfshirjes së qytetarëve në mbarëvajtjen e proceseve të ndryshme nga vet komunat. “Përmes analizimit të Planit të Veprimit për Transparencë të vitit 2019-2023, me ndarjen e objektivave dhe aktiviteteve, është bërë i mundur vlerësimi i përmbushjes së këtyre objektivave. E vetmja komunë e cila nuk posedon plan të veprimit është Gjakova; zyrtarët komunal për informim, përmes email-it na bënë të ditur se një plan i tillë është në hartim e sipër për komunën e Gjakovës, ani pse një gjë e tillë duhej të publikohej më shumë se një vit e gjysmë më parë”, tha Jakupi. Sipas saj, përmes pyetësorit për zyrtarët komunal, kanë marrë përgjigje rreth të dhënave komunale për transparencë, të cilat po ashtu janë krahasuar me gjetjet gjatë monitorimit të ueb faqeve të pesë komunave; Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit dhe Gjakovës.
Mejreme Asllani nga FES, tha se transparenca është një ndër parimet kyçe të demokracisë dhe funksionimit adekuat të komunave, sidomos në lidhshmëri me qytetarët pasi që në momentin kur këta të fundit kanë informacionet e duhura, mund të delegojnë kërkesat e tyre siç duhet.
Kujtim Gashi, drejtor i Agjencioni i Shoqërisë së Informacionit, ka thënë se komunat gjatë kohës së fundit kanë bërë kalimin nga një operator i cili mundësonte mbështetjen komunave për përdorimin e sistemit të intranetit, i cili po ashtu mirëmbante faqet zyrtare me përditësime. Sa është dekujarues fakti i mos-respektimit të plotë të elementeve të udhëzimit administrativ mbi mirëmbajtjen e faqeve zyrtare, më inkurajues është fakti se shumica e komunave i plotësojnë pothuajse të gjitha elementet, kështu shohim tentimin e respektimit të udhëzuesit. “Monitorimi nga Ministria e Pushtetit Lokal por edhe nga projektet si ky, ndikojnë pozitivisht dhe japin një shtytje që komunat të japin maksimumin e kapaciteteve të tyre për përmbushjen e detyrimeve” tha ndër të tjera Z. Gashi.