Derisa qytete të ndryshme para disa javëve kishin qindra raste aktive me COVID-19, së fundmi numri i rasteve aktive ka rënë shumë, njësoj edhe i atyre të hospitalizuara. Komunat tashmë po synojnë që në ditët në vijim të mos kenë asnjë rast aktiv me këtë virus.
Komuna të ndryshme në vend po synojnë që gjatë ditëve të ardhshme të ulin edhe më shumë numrin e rasteve aktive me COVID-19, e po ashtu të mos regjistrojnë më asnjë rast me të infektuar me këtë virusi
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili, ka thënë për Express se aktualisht kanë 5 raste aktive me COVID-19.
Ai është shprehur se po shpresojnë që brenda dy-tre ditëve të mos kenë asnjë rast aktiv me këtë virus.
“Aktualisht kemi 5 raste aktive. 2 raste janë të shtrira në spital dhe 5-6 mostra janë në pritje. Është një rënie e madhe e rasteve me COVID dhe po shpresojmë që brenda 2-3 ditëve të shënojmë zero raste”, ka deklaruar ai.
Xhemaili ka thënë se janë furnizuar edhe me teste rapide nga Ambasada e Amerikës, dhe se po vazhdojnë testimin e qytetarëve që kërkojnë të testohen.
Ndërsa, edhe drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka thënë për Express se nëse vazhdon njëjtë gjendja me pandeminë, presin minimizim të rasteve të infektuara me COVID-19.
Ai ka thënë se momentalisht gjendja me pandeminë është e qetë dhe se ka rënie të madhe të rasteve aktive me COVID-19 në Pejë.
“Gjendja është e qetë dhe ka rënie drastike të rasteve aktive me COVID-19. Nëse vazhdohet me këtë trend javëve në vazhdim minimizim të rasteve, numri i qytetarëve po rritet që po vaksinohen në Kosovë po shtetet fqinje”, ka deklaruar ai.
Loci ka treguar se numri i pacientëve të hospitalizuar në Pejë për shkak të COVID-19 është 14.
Edhe Albion Sherifi, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Komunën e Ferizajt ka thënë se numri i rasteve aktive me COVID-19 është në rënie.
Ai ka treguar se vetëm 1 pacientë i infektuar është i shtrirë në Spitalin e Ferizajt.
“Vetëm 1 pacientë është i shtruar në spitalin e Ferizajt. Gjendja është e menaxhueshme dhe stabile. Numrat janë në rënie, kjo si pasojë e menaxhimit e trendit të rënies së rasteve në gjithë vendin”, ka deklaruar ai.
Sherifi është shprehur se Shtabi Emergjent Komunal është në krye të detyrës dhe se po vazhdon ofrimi i shërbimeve gjatë pandemisë.
Numri i rasteve aktive me COVID-19 ka rënë edhe në Komunën e Prishtinës.
Në këtë komunë 59 raste janë aktive me këtë virus.
Përndryshe, me rënien e rasteve aktive me COVID-19 ka rënë edhe numri i të hospitalizuarve të infektuar me këtë virus.
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se sot në klinikat COVID të QKUK’së dhe spitalet rajonale janë të shtrirë 122 pacientë, 36 prej të cilëve të konfirmuar me COVID-19.
Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 25 pacientë, në Klinikën e Pulmologjisë 60 pacientë, në Spitalin e Prizrenit 4 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 4 pacientë, në Spitalin e Pejës 14 pacientë, në Spitalin e Gjilanit 4 pacientë, në Spitalin e Ferizajt 1 pacientë, në Spitalin e Mitrovicës 4 pacientë, në Spitalin e Vushtrrisë 6 pacientë.