Komunat veriore të Kosovës nuk kanë zbatuar Ligjin për Tatimin në Pronë dhe Ligjin për Ndërtimet si dy burime kryesore të të hyrave dhe për pasojë nuk kanë realizuar të hyra nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit nga shfrytëzimi i pronave publike nga qytetarët apo në baza tjera, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është fare simbolik, është një konstatim i Zyrës Kombëtare të Auditimit pas përfundimit të raportit të auditimit të pasqyrave financiare të katër komunave veriore për vitin 2016, shkruan sot, gazeta Zëri.
Komuna Veriore e Mitrovicës ka dhënë vetëm një leje ndërtimi në vitin 2016, nga e cila janë inkasuar taksa në vlerë 19 568 euro, andaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është shumë i ulët.
Sipas raporti të Auditorit, Mitrovica Veriore ende bën arkëtimin e të hyrave duke u bazuar në një vendim nga koha e UNMIK-ut.
Për më tepër, ky vendim nuk parasheh të hyrat nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, shfrytëzimin e pronave publike apo burime të tjera të të hyrave komunale.