Pjesa dërrmuese e komunave të Kosovës gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti nuk kanë arritur të shpenzojnë as 50% të buxhetit për realizim të projekteve kapitale.
Më së keqi në këtë drejtim qëndron Komuna e Mamushës dhe e Kamenicës, derisa më së miri me shpenzim të mjeteve për projekte kapitale qëndron Komuna e Mitrovicës dhe e Leposaviqit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Thuajse të gjitha komunat në vend gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë as gjysmën e buxhetit të paraparë për realizim të projekteve kapitale.
Në raportin nëntëmujor të Ministrisë së Financave (MF) shihet se gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti Komuna e Drenasit, e cila drejtohet nga Ramiz Lladrovci, ka arritur të shpenzojë vetëm 25 për qind të buxhetit të paraparë për këtë qëllim, ku nga 4.8 milionë euro të destinuara i ka shpenzuar vetëm 1.2 milion euro.
Në këtë drejtim keq qëndron edhe Komuna e Fushë Kosovës, e cila udhëhiqet nga Burim Berisha. Sipas të dhënave zyrtare shihet se nga 6.3 milionë euro të parapara i ka shpenzuar vetëm 1.9 milion, ose 31% buxhetit të paraparë.
Pak më mirë se këto të dyja qëndron Komuna e Lipjanit, e cila drejtohet nga Imri Ahmeti, ku nga 4.9 milionë euro të parapara i ka shpenzuar për nëntë muajt e parë të vitit 2.3 milionë euro, ose 46% të buxhetit të destinuar për këtë qëllim.