Për çdo vit, në fillim të stinës së pranverës malet nëpër komuna të ndryshme të vendit pësojnë dëme të mëdha nga zjarri.
Një prej këtyre komunave është ajo e Deçanit, ku kryetari i saj, Bashkim Ramosaj, thotë se dëmet janë të mëdha, duke apeluar te qytetarët që të kenë kujdes, raporton KOHA.
Ai thotë se pos kapaciteteve të pamjaftueshme të zjarrfikësve, i gjithë fokusi është në menaxhimin e situatës aktuale me pandemi.
Për këtë, janë arrestuar dy persona në këtë komunë.
“Në rastin e Deçanit, fatmirësisht janë identifikuar dy persona të mitur, të cilët janë shoqëruar për në stacion policor dhe ndaj tyre është hapur rasti për vepër penale “zjarrvënie”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Pejës.
Banorët dyshojnë që këto zjarre janë të qëllimshme.
Mbi 300 hektarë pyje janë djegur edhe në Komunën e Skënderajt.
Kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, thotë se për dy muajt e fundit zjarrfikësit kanë pasur rreth 100 intervenime.
Sipas tij, nuk ka fshat që nuk është prekur nga zjarri.
Këto ditë, zjarret kanë qenë të përhapura edhe në Komunën e Vushtrrisë, Shtimes, Suharekës e Malishevës.