Përgjatë kësaj jave, përfaqësues të Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, të shoqëruar nga Zëvëndësministri për Arsim, Shkencë dhe Teknologji nga radhët e komunitetit boshnjak Bajrush Sezairi , u takuan me udhëheqës e mësimdhënës të Institucioneve Edukativo-Arsimore nëpër komuna të ndryshme të Kosovës ku zhvillohet mësim në gjuhën boshnjake.
Në kuadër të shpalosjes së Programit Nacional për Rininë, Zëvendësministri Sezairi vizitoi shkollat në Komunën e Prizrenit, Pejës, Dragashit, Mitrovicës dhe Prishtinës.
“Unë jam shumë i kënaqur për implementimin e këtij programi dhe jam i bindur se do të ketë efekte pozitive, si për komunitetin boshnjak po ashtu edhe për tjerat komunitete. Aspekti më pozitiv i këtij programi është se do të shërbejë si urë lidhëse në mes të komuniteteve sepse nxënësit do të kenë mundësi ta njohin më mirë njëri-tjetrin”, tha Sezairi.
Ndërkaq, përfaqësuesit e shkollave dhe mësimdhënësit premtuan se do ta zbatojnë programin dhe do të sigurohen që gara të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Programi Nacional për Rininë do të zbatohet në të gjitha shkollat e Kosovës në tri nivele: shkollor, komunal dhe republikan i garave në dituri, kreativitet kulturor e mendim kritik, si dhe në sport.
Për më shumë, në garë do të përfshihen rreth 340 mijë nxënës të të gjitha komuniteteve. Gara në dituri do të zhvillohet nëpërmjet testeve në të gjitha lëndët e arsimit parauniversitar.
Gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik do t’u mundësojë nxënësve dhe studentëve t’i shprehin aftësitë krijuese dhe fuqinë e mendimit nëpërmjet krijimeve kreative. Ndërsa, gara në sport do të zhvillohet në formë të kampionateve në pesë disiplina: atletikë, shah, volejboll, basketboll dhe futsall.