Komuniteti LGBT marshon në Prishtinë “Në emër të lirisë”

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 12:42 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Në emër të lirisë”, pjesëtarë të komunitetit LGBT (homoseksualë, lesbike, biseksualë dhe transgjinorë), dhe përkrahës të tyre, mbajtën “Paradën e Krenarisë” në Prishtinë.

Masa u tubua në sheshin “Skënderbeu” dhe më pas ka vazhduar drejt sheshit “Zahir Pajaziti”.

Lendi Mustafa, një nga organizatorët, tregoi arsyen e mbajtjes së kësaj parade.

“Sot jemi bashku me kërku liri. Për m’i tregu shoqërisë që jemi të njëjtë. Sot kërkojmë liri për ata që nuk mund të lirohen nga presioni, nga familja dhe shoqëria. Lirinë për m’u shprehë qashtu qysh jemi”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.

Ai falënderoi edhe aktivistët e LGBT nga rajoni që ndihmuan në këtë organizim. Po ashtu, një falënderim të veçantë kishte edhe për Policinë e Kosovës, duke thënë se ishte tërë kohën në vendin e duhur për mbrojtjen e pjesëtarëve të LGBT-së.

Në Paradë ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të komunitetit LGBT nga vendet e rajonit.

Franko Vasiq nga Serbia vlerëson se të respektimi i të drejtave të këtij komuniteti, si në Serbi ashtu dhe në Kosovë, vazhdon të jetë i ulët.

“Respektimi i të drejtave vazhdon të jetë i ulët, duhet ende punë për t’u bërë, por ne po e japim më të mirën kështu që shpresojmë që do të bëhet mirë shpejtë. Tani për tani, në Beograd situata është më e qetë, nuk është ende e tensionuar si këtu”, tha Vasiq për REL.

Ndërkaq, Xheni Karaj nga Shqipëria e vlerësoi si hap pozitiv mbajtjen e kësaj Parade, siç u shpreh ajo, jo vetëm për komunitetin LGBT, por “për të gjithë shoqërinë”.

“Për mua është një emocion i veçantë Parada e Prishtinës. Është shumë e rëndësishme, sidomos për ata persona të komunitetit që nuk kanë mundësi të jenë sot këtu me ne, për shkak të diskriminimit dhe për shkak të stigmatizimit dhe mendoj që është një hap pozitiv jo vetëm për komunitetin LGBT, por për të gjithë shoqërinë, për t’u emancipuar dhe për të kuptuar që nuk mund të kthejmë pas rrotën e historisë”, tha Karaj.

Krahas organizatorëve nga ky komunitet, në paradë morën pjesë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha; përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova; kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti; kryetarja e partisë “Alternativa”, Mimoza Kusari-Lila, ambasadorë, disa deputetë dhe personalitete të tjera nga shoqëria civile.

Edhe këngëtarja Adelina Ismaili i është bashkuar marshit të komunitetit LGBTI, pas thirrjes publike nga anëtarë të këtij komuniteti në një emision televiziv.

Është viti i dytë që në Prishtinë pjesëtarët e komunitetit LGBTI marshojnë në qendër të Prishtinës.

 

Të ngjashme