Për herë të parë në Kosovë, Platforma Kulturore e Evropës Qendrore (PCCE), në përbërje të shteteve anëtare të BE-së, Hungarisë, Austrisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Polonisë, në bashkëpunim me MKRS-në, do të organizojnë një gala koncert muzikor me artistë të rinj të këtyre vendeve dhe të Kosovës, i cili do të mbahet sonte në 18:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.
Para kësaj ngjarje sot u mbajt një takim mes ministrit, Hajrulla Çeku, ambasadorëve të Hungarisë, Dr. József Bencze e atij të Çekisë, Pavel Bilek, shefit të zyrës së Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, dhe drejtorëve të PCCE-së të shteteve anëtare, Martin Pammer nga Austria, Rafal Ëolksi nga Polonia, Martina Pivonkova, nga Sllovakia, dhe Klára Nagy-Gery nga Hungaria.
Në takim u diskutua për rëndësinë e këtij organizimi në promovimin e artistëve të rinj dhe thellimin e bashkëpunimit e dialogut kulturor mes shteteve të Evropës Qendrore dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndër tjera, në takim, ministri Çeku falënderoi përfaqësuesit e shteteve anëtare të PCCE-së që kanë përzgjedhur Republikën e Kosovës për të organizuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, ndërsa foli për rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit bilateral kulturor të vendit tonë me shtetet përkatëse të platformës dhe me rajonin e Evropës Qendrore.
Në cilësinë e përfaqësueses së PCCE-së, Klára Nagy-Gery, drejtore e PCCE-së së Hungarisë, foli për detajet e koncertit që do të mbahet sonte dhe rëndësinë e shkëmbimit kulturor mes vendeve.
PCCE u lansua në Austri, më 2001 nga gjashtë vende të Evropës Qendrore dhe objektivi kryesor është ruajtja e dialogut të ndërsjellë kulturor, sigurimi dhe mbështetja e projekteve dypalëshe dhe shumëpalëshe të fokusuara në interesat e përbashkëta dhe vlerat kulturore të Evropës Qendrore.